Përfundon takimi Thaçi-Daçiq, Kosova lejon hyrjen e zyrtarëve serb në Kosovë
Pëlqej
I Përditësuar - Në orën 22:15 ka përfunduar në Bruksel takimi i sotëm Thaçi-Daçiq i ndërmjetësuar nga baronesha Ashton.

Pas takimit, Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se askush nuk mund të pengohet në lëvizjen e lirë.

Kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se të gjithë zyrtarëve të Serbisë do t’iu lejohet ardhja në Kosovë nëse respektojnë procedurat zyrtare dhe bëjnë kërkesë në autoritetet kosovare.

Sipas B92, përgatitjet për zgjedhjet e pritshme lokale të 3 nëntorit ka qenë tema qendrore e bisedimeve të sotme.

Edhe pse pritej një takim shumë i vështirë dhe që do të zgjaste mbase edhe deri pas mesnate, ai u përmbyll për më pak se dy orë.

Para takimit të përbashkët, Ashton pati takimi veç e veç me të dy kryeministrat.



20:00 - Në Bruksel ka nisur takimi midis Kosovës dhe Serbisë, i mundësuar nga Bashkimi Evropian.

“Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, aktualisht po takon kryeministrin (e Serbisë), Daçiq; kjo do të pasohet nga një takim dypalësh i Ashtonit me kryeministrin (e Kosovës), Thaçi. Takimi i përbashkët pritet pas dy takimeve bilaterale”, bën të ditur zyra e BE-së, transmeton REL.

Temë kryesore e bisedimeve të sotme Thaçi-Daçiq pritet të jetë përparimi në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale në Kosovë.

Delegacioni i Serbisë për bisedimet e sotme në Bruksel, pos kryeministrit Ivica Daçiq, përbëhet edhe nga këshilltari i kryetarit serb, Marko Gjuriq, nga ministri pa portofol i angazhuar për çështje të Kosovës, Aleksander Vulin dhe nga sekretari i Qeverisë së Serbisë, Velko Odaloviq, raportojnë mediat serbe.

Pritet që darka e punës ndërmjet kryeministrave Thaçi dhe Daçiq me pjesëmarrjen e Baroneshës Ashton të përfundojë diku rreth mesnatës.
Shtuar më 07/10/2013, ora 23:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori