Ngriti flamurin kuqezi në Serbi, kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar thirret nga gjykata
Kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafa do të dalë para Gjykatës në Bujanoc, pasi akuzohet për “shkelje të përdorimit të stemës, flamurit dhe himnit të Serbisë”.

Mustafa kishte vendosur më 28 nëntor të vitit të shkuar flamurin kombëtar shqiptar në selinë e Këshillit që ai udhëheq.

Vetë ai ka thënë se kjo padi është e motivuar politikisht.

Në një status në Facebook, Mustafa u shpreh se ftesa shfaqet “pas shmangies së ballafaqimit të Ministrit Mbrojtjes Republikës së Serbisë, z. Aleksandër Vulin me padinë e ngritur nga unë, për përdorim të gjuhës nënçmuese, fyese, gjuhës së urrejtjes, gjuhës kriminalizuese e denigruese kundrejt shqiptarëve”.

“Sado që do të besosh në paanësinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor e prokurorial, duket megjithatë e çuditshme se si po përputhen këto dy raste, së paku në kuptimin kalendarik”, ka shkruar ai.

Mustafa ka thënë se me ligjin për të cilin ai pretendohet të ketë shkelur, dënimi është nga 50 mijë deri 500 mijë dinarë.

“Serbia nuk mund ta përzgjedh flamurin e shtetasve të saj shqiptar. Atë e përzgjedhin vetë shqiptarët! Ky ligj është flamur i shtypjes! Ky flamur është ligj i barazisë! Prandaj ligji do të ndryshojë, jo flamuri!” ka përfunduar Mustafa.
Shtuar më 12/09/2020, ora 09:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori