Nga viti i ardhshëm të rinjtë e Kosovës mund të bëhen ushtarë
Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë hyrë tashmë në procesin e transformimit në Ushtri. Kjo pas miratimit në lexim të parë të tri projektligjeve për këtë forcë.

Ushtria në formim e Kosovës brenda një periudhe jo shumë të gjatë kohore pritet të ketë 8 mijë ushtarë.

5 mijë prej tyre pritet të jenë trupa aktiv, ndërkaq që 3 mijë do të jenë pjesëtarë rezervë.

Lidhur me të njëjtën çështje, FSK-ja pritet që në fillim të vitit të ardhshëm të fillojë me zgjerimin e saj.

Në një përgjigje nga ministria e FSK-së, është bërë e ditur se në fillim të 2019-tës, do të ketë fushatë regrutimi.

Të rekrutuarit pritet që të zëvendësojnë edhe pjesëtarët e pensionuar.

“Sigurisht se do të fillohet me plotësimin e vendeve të pjesëtarëve që janë pensionuar nga FSK, do të ketë edhe fushatë të regrutimi në fillim të vitit të ardhshëm, dhe pastaj do të shkojë gradualisht nëpër vite sipas planit afatmesëm dhe afat gjatë të zhvillimit dhe fazave të regrutimit”, është thënë në përgjigjen e MFSK-së.

Megjithatë, nga ky numër i përgjithshëm nuk pritet të ketë vende të rezervuara për komunitetin serb ose për komunitetet tjera.

Nga ministria thonë se secili ka të drejtë të aplikojë për secilën pozitë të lirë.

“Nuk ka vende të rezervuara për askënd në FSK dhe secili ka të drejtë të aplikojë për secilën pozitë të lirë. FSK është organizatë vullnetare dhe profesionale. Ligji për komunitete në Kosovë parasheh që në institucione shtetërore të jenë rreth 10% komunitete në përgjithësi, pa i veçuar veç e veç. Ne si FSK e kemi tejkaluar këtë kuotë”, thuhet më tutje nga MFSK.

Njëri ndër ligjet i cili u miratua në Kuvendin e Kosovës është edhe ai për ministrinë e Mrojtjes.

Në këtë kuadër, parashihet transformimi i ministrisë së FSK-së, në ministri të Mbrojtjes.

Ndërkohë, pas procesit në fjalë, pritet edhe shtimi i kompetencave për këtë institucion.

“Ndryshimi i misionit të FSK-së kushtëzon edhe shtimin e kompetencave dhe shëndrrimin e MFSK-së në Ministri të Mbrojtjes. Këto kompetenca janë të përcaktuara në Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes i cili veç është në procedurë parlamentare”, përfundohet në përgjigjen e MFSK-së.

Theksojmë, se edhe pas miratimit në lexim të dytë të tri projektligjeve, emri i FSK-së nuk pritet të ndyshojë.

Nga njohës të çështjeve ushtarake është përmendur tash e sa herë se transformimi në Forcë të Armatosur mund të zgjasë deri në mbi shtatë vite.
Shtuar më 28/10/2018, ora 13:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori