Nga New Yorku në interprelancë
Qeveria e Kosovës do të ballafaqohet me opozitën menjëherë pas kthimit të delegacionit të saj shumë anëtarësh që po qëndron në New York, ku për një javë nën margjinat e sesionit të Asamblesë së Përgjithshme ka zhvilluar aktivitete lobimi për njohje të reja.

Ndërsa në deklaratat e kryeministrit dhe ministrave që bëjnë pjesë në këtë delegacion, thuhet se është zhvilluar një aktivitet i bujshëm që do të mund të sjellë si rezultat edhe njohje të reja, opozita nuk mendon kështu.

Përveç shpenzimeve të larta që përmenden në lidhje me udhëtimin e këtij delegacioni në New York, opozita thotë se politika e jashtme dhe diplomacia në përgjithësi janë në një kaos të vërtetë.

Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka deponuar një kërkesë për interpelancë në Kryesinë e Kuvendit dhe pret që kjo pikë të shtrohet në Kuvend sapo që në Kosovë të kthehen ministri i jashtëm Enver Hoxhaj dhe zëvendëskryeministri i ngarkuar për lobim, Behxhet Pacolli.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri i tha Radios Evropa e Lirë se interpelanca është kërkuar që nga koha kur ishte krijuar konfuzioni i njohjes e më pas mosnjohjes së Kosovës nga shteti i Malit.

"Pa dashur ta elaboroj shumë kërkesën tonë, ne ato që kemi do t’i themi në seancë, si për çështjen e njohjeve, çështjen e lobimit, çështjen e koordinimit apo më mirë thënë moskoordinimit të kësaj pune që po ndodhë në politikën e jashtme. Pastaj, mund të quhen realisht edhe skandale apo lëshime të mëdha ato që ndodhën në lidhje me njohjen dhe mosnjohjen e shtetit të Malit e çështje tjera", ka thënë Beqiri.

Zyrtari i LDK-së tha po ashtu se përveç lajthitjes në çështjen e mosnjohjes së Kosovës nga Mali, janë edhe dy raste që janë prezantuar si njohje, por të cilat nuk janë konfirmuar asnjëherë, kështu që Kuvendi do të kërkon sqarime shtesë nga qeveria.

Ndërkohë, të dielën në qendër të Prishtinës, subjekti tjetër opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, ka organizuar një aktivitet politik në lidhje me udhëtimin e delegacionit të Kosovës në New York duke e vënë theksin në shpenzimet e bëra.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albana Gashi tha se shuma e harxhuar e parave të buxhetit, që sipas saj kap vlerën prej rreth 200 mijë eurove, ishte e lartë krahasuar me rezultate e këtij udhëtimi, të cilin Vetëvendosje e ka cilësuar si ekskursion.

"Ne i themi kryeministrit që Kosova ka nevojë për përfaqësim të dinjitetshëm nga njerëz të dinjitetshëm, të pa korruptuar e kompetent e jo nga ministra të korruptuar dhe anëtarë të tjerë të delegacionit të cilët as vet nuk e dinin qëllimin e kësaj vizite, apo më mirë të themi këtij ekskursioni përveç zhvatjes së mëditjeve të majme", ka deklaruar deputetja Albana Gashi.

Ndryshe, opozita edhe në raste tjera ka ngritur interpelanca e debate në Kuvend, por rezultatet e tyre kryesisht kanë qenë vetëm disa rekomandime, pasi që vendimet në Kuvend merren me shumicë të votave, shumicë këtë që sado të brishtë e ka dhe e ruan ende koalicioni qeverisës. (rel) /albeu.com/
Shtuar më 30/09/2012, ora 15:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori