Turqia e ka dënuar me 30 vite burg, prangoset shqiptari në Janinë

Një shtetas shqiptar është kapur në Janinë paraditen e të shtunës, pasi rezultonte i dënuar.

Sipas burimeve nga mediat greke, ai ka qenë i dënuar në mungesë me 30 vite burg nga autoritetet turke.

Teksa emri i shqiptarit nuk është bërë i ditur, sipas mediave greke bëhet fjalë për një person me precedentë të theksuar kriminale, në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Shqiptari raportohet se kishte mundur të arratiset nga Turqia dhe po tentonte të kalonte fshehurazi për në Shqipëri.

Efektivët e policisë kanë zbuluar se shqiptari ishte në kërkim nga Interpoli i Turqisë pasi ishte shpallur fajtor në mungesë për importim droge dhe duhej të vuante një dënim prej 30 vitesh.

Aktualisht shqiptari po mbahet në paraburgim, ndërsa autoritet greke kanë nisur procedurat e ekstradimit.