Nga kjo situatë po përfiton politikisht Serbia
Situata e tensionuar në veri, me barrikadat në rrugë, dhe siç thuhet me potencial të shpërthimit të dhunës, mund të implikojë dhe të ndikojë edhe ne stabilitetin e rajonit, thonë ekspertë të sigurisë.
Ramadan Qehaja thotë se mllefi te popullata shumicë është shumë i madh në kohën kur gjendja në terren mbetet e pandryshueshme.

“Problemi tjetër është se nga kjo pakënaqësi mund të kemi edhe implikime tjera këtu në rajon... në Luginë të Preshevës, në Maqedoni, dhe gjetiu", ka thënë Qehaja për Radio Evropa e Lirë.

"Mund të ndodhë që të kemi një fërkim ndërnacional edhe këtu në Kosovë, nëse gjërat nuk marrin kahe pozitive”.

Eksperti për çështje të sigurisë, Agim Musliu, thotë se nga kjo situatë po përfiton politikisht Serbia.

“Është parë qartë se KFOR-i ka marrë një komponentë tjetër, atë politike dhe po kalkulon politikisht mes Brukselit, Prishtinës e Beogradit, i cili tash për tash është në një avantazh politik e që kalkulon në mes të dhunës dhe favoreve që i kërkon nga bashkësia ndërkombëtare", thotë Musliu.

Bisedimet e vazhdueshme mes KFOR-it dhe të përfaqësuesve të serbëve lokalë, vazhdojnë të mos japin rezultate konkrete, meqë ende nuk është siguruar liria e plotë e lëvizjes për të gjithë. Qehaja shfaq druajtjen nga realiteti i ri i krijuar në terren.

“Sa i përket KFOR-it, përkundër tentimit për një angazhim të mirëfilltë, kjo nuk ndodhi, pasi që KFOR-i lejoi që serbët të përforcohen për një kohë të gjatë, të bëhen barrikada mbi barrikada", thotë ai.

“Ne nuk e kontrollojmë aspak atë pjesë të territorit e si duket as EULEX nuk e bën këtë, përveç KFOR-it që ekziston atje me këto probleme”.

Musliu mendon se të gjitha zhvillimet në veri janë të orkestruara nga Beogradi zyrtar.

“E kemi parë në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë. Po mos të kishte presione të dhunës, Beogradi zyrtar do të duhej edhe 10 vjet për të aplikuar për në BE. Kështu po i shkurtohet rruga brenda një kohe të shkurtër dhe në kurriz të Kosovës që të fitojë favore tjera përveç anëtarësimit në BE”.
Shtuar më 07/11/2011, ora 16:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori