“Newsweek: Moska po ndërton ushtrinë e serbëve të Bosnjes. Një tjetër Ukrainë
Revista amerikane “Newsweek” ka publikuar të dhënat e raportit të Institutit për Kërkime në Politikën e Jashtme ku konfirmohet se Rusia po ndërton ushtrinë e Republikës Srpska në Bosnje-Hercegovinë, një prej tre etniteve të shtetit ballkanik.

“Policia lokale dhe zyrtarë të tjerë të sigurisë po marrin trajnime të stilit ushtarak nga Rusia dhe po grumbullojnë pajisje ushtarake. Moska po mbështet gjithashtu formimin e grupeve nacionaliste paramilitare serbe në Bosnje-Hercegovinë. Gjatë viteve të fundit, Rusia ka zgjeruar aktivitetin ekonomik dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet ndër të tjera në raportin e zbardhur nga “Newsweek”.

Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik është takuar me presidentin rus Vladimir Putin në shtator të 2016-ës, ndërsa këtë vit ka qenë për vizitë në Gjeorgji. Dodik kërkoi vitin e kaluar referundim për shkëputjen e republikës së serbëve nga Bosnja, por kjo kërkesë u kundërshtua ashpër nga SHBA dhe BE.

Newsweek’ paralajmëron se kjo situatë në Bosnje mund të krijojë në Ballkanin Perëndimor një tjetër Ukrainë, ku rusët në lindje të vendit kanë shpallur pavarësinë nga Kievi dhe po luftojnë ushtrinë ukrainase me armë të dërguara nga Moska.

Në rast se raporti konfirmohet zyrtarisht, formimi i ushtrisë së serbëve në Bosnje do të rrëzonte marrëveshjen e Dejtonit, që i dha fund luftës shkatërrimtare të viteve ’90.

Gjithashtu, raporti për formimin e ushtrisë së serbëve të Bosnje-Hercegovinës publikohet vetëm pak ditë pasi Uashingtoni mbështeti në Prishtinë dhe Beograd krijimin e ushtrisë së Kosovës. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç e konsideroi këtë lëvizje si të gabuar dhe që do të shkaktonte tensione në Ballkan. /albeu.com/
Shtuar më 16/03/2018, ora 21:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori