Gjermania i dha Putinit goditjen e fortë, SHBA: Rusia nuk ka parë gjë akoma

Administrata amerikane është shprehur se do të bashkëpunojë ngushtë me Gjermaninë për t’ia bërë të dhimbshme Rusisë pushtimin e Ukrainës.

Zëdhënësja e Presidentit Biden Jen Psaki ka vlerësuar në emër të SHBA-ve vendimin e Gjermanisë për të pezulluar gazsjellësin Nord Stream 2 duke theksuar se gjatë orëve në vijim do të shpallen edhe sanksionet e tjera, tashmë nga administrate Biden.

 

“Presidenti i SHBA-ve e bëri të qartë se do të bashkëpunonim me Gjermaninë për të bllokuar avancimin e gazsjellësit Nord Stream2 nëse Rusia pushtonte Ukrainën. Ne kemi qenë në kontakt të ngushtë me Gjermaninë dhe vlerësojmë njoftimin e bërë prej tyre. Do të jemi në kontakt për të bërë me dije masat tona gjatë orëve në vijim”, tha ajo përmes një postimi në Twitter.

Gjermania pezulloi sot gazsjellësin Nord Stream2 me argumentin se furnizimi i vendit me gaz nga Rusia përbënte një rrezik kombëtar. Kjo vlerësohet si një ndër masat ekonomike më drastike ndaj Rusisë pas i shkakton vendit kosto të mëdha financiare.

Gazeta gjermane “Spiegel” raportoi paraditen e së martës duke iu referuar burimeve qeveritare se Ministria e Ekonomisë ka ndaluar procesin e miratimit për gazjellësin e famshëm “Nord Stream2”, i cili sjell gazin nga Rusia për në Europë nëpërmjet Gjermanisë, raporton abcnews.al.

Sipas gazetës gjermane, ministri Robert Habeck udhëzoi institucionet e varësisë që të tërheqin certifikatën e dhënë fillimisht pozitive për miratimin e këtij gazsjellësi. Ky është dokumenti final që miraton futjen në punë të një gazjellësi.

Certifikata, e cila u lëshua nga qeveria e mëparshme në fund të tetorit, ka të bëjë me sigurinë e furnizimit të Gjermanisë me gaz natyror, e cila, sipas pikëpamjes së asaj kohe, nuk rrezikohej nga vënia në punë e Nord Stream 2. Sipas letrës së Robert Habeck, me rishikimin e situatës gjeostrategjike, situata nuk është më e tillë dhe Rusia përbën rrezik për Europën dhe Gjermaninë.


Shtuar 22.02.2022 15:14