Nëse pllakos kriza, Qeveria e Kosovës falë Ramushit s'ka rezerva
Pëlqej
Në vitin e parë të qeverisjes, kryeministri Ramush Haradinaj me anë të disa vendimeve ka shpenzuar pothuajse të gjitha paratë e planifikuara në vlerë prej 4.8 milionë euro nga Rezerva Financiare e Buxhetit të Kosovës për vitin 2018.

Ndarja e mjeteve për manifestimin kulturor “Flaka e Janarit”, mbulimi i shpenzimeve për familjet e të dënuarve në rastin “Kumanova”, ndarja e 300 mijë eurove për mbulimin e shpenzimeve të 1,500 veteranëve për pushime verore në bregdetin e Shqipërisë, ndarja e 1 milion eurove për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), për të mbuluar faturimin e energjisë elektrike, të shpenzuar në katër komunat veriore të Kosovës, janë disa nga vendimet e votuara nga kabineti qeveritar.

Qeveria e Kosovës më 13 shkurt kishte ndarë 600 mijë euro për organizimin e programit të Këshillit Organizativ për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu, janë ndarë edhe 100 mijë euro shtesë të cilat janë planifikuar të shfrytëzohen sipas nevojës së manifestimit.

Por, tetë muaj më vonë, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 64-të mori vendim për ndarjen e 255,613 eurove shtesë për shlyerjen e borxheve të mbetura nga manifestimi për përvjetorin e Pavarësisë.

Vetëm në tre mbledhjet e fundit, Qeveria e Kosovës ka ndarë 368 mijë e 904.01 euro, ku njëri nga vendimet është ndarja e 112 mijë euro për rregullimin e Parkut të Paqes në Preshevë.

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj po karakterizohet si “dorëlirë” në harxhimin e Buxhetit, ku në disa raste me vullnetin e tij, e në tjera edhe i detyruar. Kryeministri Haradinaj gjatë vitit të parë të qeverisjes është dashur të paguajë miliona “gjobë” për “gabimet e qeverisë”, si dhe rritje të pagave për veten dhe bashkëpunëtorët e tij.
Shtuar më 21/09/2018, ora 16:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori