Barazimi me Çekinë, Gjimshiti: Pikë që do të na vlejë shumë

Berat Gjimshiti ishte një nga më të spikatur në fushë në barazimin 1-1 ndaj Çekisë. Me shiritin e kapitenit në krah, mbrojtësi shqiptar ishte i pakalueshëm duke dhënë maksimumin. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për mikrofonin e “TV Klan”, Gjimshiti u shpreh:

BERAT GJIMSHITI:

“Ishte qëllimi jonë të japim gjithçka në këtë ndeshje. Ata janë fizikisht më të fortë se ne, por nuk do të thotë se do i fitonin duelet, duhet edhe dëshirë. Treguam ndeshje fizike të mirë, të lojës, ndoshta jo shumë. Kjo pikë do të na vlejë shumë. Luajtëm përballë një kundërshtari të fortë që luan në Europiane dhe Botërore. Na kanë shtyrë tifozët. Më shumë ishin tanët se çekët, nga ajo ç’kam kam dëgjuar në fushë. Kishte më shumë shqiptarë.

Ky është viti i duhur për mua që kam qenë jashtë në 2016. Atëherë isha i mërzitur. Mentaliteti im është që të vazhdoj gjithmonë përpara. Është viti i duhur për ne të gjithë. Do të kishte qenë diçka shumë e bukur për të gjithë ne.

Dje takova babin me disa shokë nga Zvicra, ata ishin edhe në Danimarkë, kur debutova, e mbaj mend mjaft mirë. Para 8 vitesh, shpresoj që të na sjellë fat. Jemi të lodhur, por të lumtur. Duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës, që është shumë e rëndësishme”, përfundoi Gjimshiti.


Shtuar 7.09.2023 23:09