Nënshkruhet kontrata kolektive për arsimin
Ministri i Arsimit të Kosovës Ramë Buja dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, kanë nënshkruar sot kontratën kolektive për arsimin e cila i mbështet punonjësit e këtij sektori në të drejtat e tyre të cilat nuk janë të specifikuara me ligje të tjera të arsimit parauniversitar.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj dhe Ministri Buja janë shprehur të kënaqur me nënshkrimin e këtij dokumenti.

“Kjo kontratë siguron të drejta, por kërkon edhe përgjegjësi dhe obligime prej punëtorëve të arsimit. Zbatimi i saj do të realizohet, sepse kjo tani më është tërësisht në plotëninë e saj dhe uroj kryetarin, të gjithë sindikalistët dhe punëtorët arsimor që vërtetët ta gëzojnë dhe natyrisht t’i përmbushin të gjitha obligimet”, u shpreh ministri Buja.

Rrahman Jasharaj nënshkrimin e kontratës e cilësoi si moment të veçantë dhe e vlerësoi lartë përkushtimin e ministrit Buja në realizmin e saj.

“Është një kontratë bazike me të cilën do të frymojmë më lirshëm dhe do të japim kontribut edhe më të madh në arsim. Këtë kontratë e konsideroj edhe si një përpjekje të ministrit Buja që të respektojmë punën e mësimdhënësve ndër vite”, u shpreh Jasharaj.

Kontrata hyn në fuqi pas nënshkrimit të saj nga palët nënshkruese të kontratës, ndërsa dispozitat, të cilat kanë të bëjnë me implikime financiare hynë në fuqi më 1 janar 2015. /albeu.com/
Shtuar më 11/04/2014, ora 11:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori