Mbrojtja e grave nga dhuna në familje mbetet sfidë në Maqedoninë e Veriut

Një ndër sfidat më të mëdha në Maqedoninë e Veriut mbetet tërheqja e viktimave të dhunës në familje nga paditë gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor – të cilat paraprakisht i kishin denocuar rastet në polici.

Kështu, mbrojtja e grave nga dhuna në familje vazhdon të mbetet sfidë në këtë shtet, pavarësisht që në aspektin ligjor ka përparime, në implementimin e ligjeve ka ngecje.

Kështu u tha në konferencën për barazi gjinore, luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e cila u mbajt në Shkup më 2 dhjetor.

Kjo konferencë u organizuar nga ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Ministrja e Punës dhe Politikës sociale, Jovana Trençevska, tha se statistikat nga Qendra për Punë Sociale tregojnë se nuk ka rritje drastike të denoncimeve të dhunës ndaj grave, por për të problematike mbetet fakti se gratë pas denoncimit të dhunës në organet e policisë, tërhiqen nga procedimi i rasteve në organet e drejtësisë.

“Numrat e vendimeve gjyqësore tregojnë që në pjesën më të madhe të rasteve ose palët tërhiqen nga procesi gjyqësor, ose kemi aktgjykime të cilat lirojnë dhunuesin për shkak se nuk ka dëshmi të mjaftueshme në vetë procedurën”, tha ajo.

Sipas statistikave zyrtare, nga janari deri në fund të nëntorit në Maqedoninë e Veriut janë raportuar 1.129 raste të dhunës në familje.

Organizatat jo-qeveritare që në fokus kanë mbrojtjen e grave thonë se ajo që i dekurajon gratë të denoncojnë dhunën në familje, veçanërisht procedimin e rasteve në gjykatë, është mungesa e mbështetjes institucionale dhe sigurimi i një strehe të sigurtë.

“Në terren kemi hasur shumë raste që janë viktima të dhunës në familje, por ato nuk e marrin guximin ta denoncojnë atë sepse nuk kanë një strehë të sigurt ku mund të shkojnë”, thotë Nora Kaliqi nga organizata AJO.

Kaliqi tha se rajoni i Pollogut, i cili përfshinë Tetovën dhe Gostivarin, nuk ka asnjë strehimore për gratë që janë viktima të dhunës.

Ministrja Trençevska është zotuar se do të hapet një e tillë në Gostivar deri në fund të këtij muaji.

Në Maqedoninë e Veriut funksionale janë pesë strehimore për gratë viktima të dhunës në familje – në Ohër, Kocani, Strumicë , Veles dhe Manastir./rel