Në Spanjë del një arushë e ngjashme me të Prizrenit, alarmon edhe Francën (FOTO LAJM)

Një arushë e lëshuar në Pirenejet Franceze i ka vrarë tetë dele në Spanjë. Ky rast i ka shtyrë autoritetet e të dyja vendeve të fillojnë bisedime urgjente për ta zgjidhur këtë problem.

Arusha e quajtur Claverina ka shkuar në malet e Navarres pasi kishte ardhur nga Bearni i pjesës jugperëndimore të Francës.

Zyrtarët mjedisorë të Spanjës janë takuar për këtë çështje me homologët e tyre francezë. Disa dele tashmë bartin në trup pajisje për shënim të vendndodhjes dhe janë hartuar plane për të përfshirë qen roje.

Arusha Claverina dhe disa arusha tjera ishin sjellë në këtë rajon nga Sllovenia. Ato ishin lëshuar në natyrë në tetor të vitit të kaluar për ta shtuar numrin e tyre sepse në këtë vend ndodheshin vetëm dy arinj.

Për këtë veprim të autoriteteve më parë kishin protestuar barinjtë e Francës dhe të Spanjës që ndodhen në zonën kufitare mes dy vendeve.

Shoqata “Alpine Slovenia” ka më shumë se 500 arusha të murrme dhe po e ndihmon Agjencinë Franceze për Egërsira që ta shtojë numrin e këtyre kafshëve në Pireneje, ku ato janë pakësuar për shkak të gjuetisë.
Shtuar më 17/05/2019, ora 18:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori