Në shkollat e Kosovës përdoret droga
Mbetet shqetësuese fakti se nxënësit në shkolla përdorin substance narkotike. Këtë e thonë drejtues të qendrave rehabilituese nga drogat, përderisa Ministria e Arsimit nuk ka statistika të sakta se sa përdoren këto substanca nga fëmijët.

Ragip Gjoshi, zyrtar për Informim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, thotë se kjo është punë ekskluzive e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Për këtë dukuri, nuk kemi të dhëna konkrete, për numër dhe shifra, sepse kjo është punë ekskluzive e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thotë Gjoshi për “Radio Evropa e Lirë”.

Safet Blakaj, drejtues i qendrës rehabilituese nga droga “Labirinti”, thotë se janë në rritje përdoruesit e substancave narkotike nëpër shkolla.

“Ajo që përdoret më së shumti është kanabisi, por kohëve të fundit kemi informacione që po keqpërdoren barnat... që përdoren për sëmundje psikiatrike”, thekson Blakaj, sipas të cilit të rinjtë nuk e kanë të vështirë t’i sigurojnë ato, përderisa në Kosovë nuk ka rregull për marrjen e barnave nga barnatoret.

“Qasja është shumë e lehtë, pra merren pa recetë”, shton ai. “‘Farma party’ është bërë trend. Nëpër ndeja i hedhin nëpër tavolina një grumbull barnash dhe i përziejnë me alkool”.

Dukagjin Popovci, nga Qendra Kosovare për Arsim, thotë se nuk kanë ndonjë informacion sa i përket përdorimit të substancave narkotike nëpër shkolla.

“Ne ftohemi për kushtet e arsimit, kushtet e punës, tekstet mësimore, por për punën e narkotikëve nuk jemi marrë asnjëherë”, thotë Popovci.

Sidoqoftë, Brahim Sadriu, zëdhënës në Policinë e Kosovës, thotë se rastet e raportuara në polici, të nxënësve që përdorin substanca narkotike, nuk janë të rralla.

“Kemi pasur aktivitete për sensibilizimin e fëmijëve për pasojat që sjellë kjo dukuri. Kemi bashkëpunim edhe me drejtoritë e shkollave, dhe kur vërejnë këto dukuri, ata e raportojnë policinë. Raportime kemi për të rinjtë e moshave 17 vjeçare, por ka pasur raste kur është raportuar edhe për fëmijë nën këtë moshë”, bën të ditur Sadriu. /albeu.com/
Shtuar më 07/03/2012, ora 20:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori