Në Rahovec po mbahen zgjedhjet për kreun komunës
Pëlqej
Rahovecianët kanë nisur sot që me mëngjes votimet për kryetar të komunës, njofton KTV. Në votimet e sotme garojnë 5 kandidatë: Xhelal Canziba (PDK), Ibrahim Kryeziu (LDK), Smajl Latifi (AAK), Rexhep Oruqi (AKR) dhe Luljeta Kadiri (LDD).

Kryetari i Komisionit Komunal të ZgjedhjeveRahovec, Burim Lezi ka njoftuar se me kohë janë hapur të gjitha qendrat e votimit për zgjedhjen e kryetarit të komunës.

Zgjedhjet e parakohshme në Rahovec mbahen pasi që Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 27 shtator, ka rikonfirmuar se ish-kryetari Qazim Qeska ka përfunduar mandatin e kryetarit në momentin kur ai ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Komunës, më 1 korrik.

Drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thanë dje në Prishtinë se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për zhvillimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunën e Rahovecit, që do të mbahen sot, më 21 nëntor.

Edhe zyrtarë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në Rahovec i kanë thënë korrespodentit të Kohës Ditore të shtunën se gjithçka është gati sa u përket votimeve të së dielës, për zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Rahovecit.
“Të dielën në Rahovec pritet të votojnë 47 mijë e 400 votues, ndërkohë që për herë të parë do të kenë mundësi të votojnë edhe 1 182 votues të rinj”, ka bërë të ditur kryetari i KKZ-së, Burim Lezi. Sipas tij, këta 48 582 votues do të kenë mundësi të realizojnë të drejtën e tyre në 34 qendra të votimit, me 71 vendvotime, për të hedhur votat e tyre për njërin prej pesë kandidatëve për kryetar. “Kemi rrumbullakuar me kohë të gjitha përgatitjet teknike, kemi përgatitur hapësirat, si dhe kemi shpërndarë materialin josensitiv të shtunën në të gjitha qendrat e votimit”, ka thënë Lezi, duke shtuar se materiali sensitiv do të shpërndahet të dielën në ora 04:00 të mëngjesit.

Sipas Lezit, janë formuar disa ekipe të cilat do të jenë në gatishmëri për t’i ofruar votuesve shërbim të drejtpërdrejt: 2 ekipe me 3 anëtarë për 45 persona me aftësi të kufizuara në shtëpitë e tyre.

Duke besuar se edhe serbët e qytetit dhe të fshatit Hoçë e Madhe do të dalin në zgjedhje, ai ka pohuar se nga një qendër votimi do jetë e hapur edhe për këtë dhe komunitetin romë, ashkali dhe egjiptian. Lezi ka shtuar se ndërkohë është bërë edhe trajnimi i 547 komisionarëve, përfshirë edhe 9 sish nga komuniteti serb, si dhe janë caktuar 34 menaxherë të qendrave të votimit, përfshirë edhe 2 serbë.
Shtuar më 21/11/2010, ora 09:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori