Në Prishtinë shfaqet një rosë gjigande, mësoni arsyen
Në Ditën Botërore të Luftës kundër Korrupsionit, në sheshin “Skënderbeu” është vendosur një rosë e verdhë prej gome, tashmë si simbol botëror në luftën kundër korrupsionit.

Përbri rosës është vendosur edhe një tabelë, në të cilën qytetarët kanë vendosur mesazhe kundër korrupsionit.

Jeton Zulfaj, ideator i projektit ka thënë se kjo rosë tregon se pavarësisht progresit që është bërë në luftën antikorrupsion në Kosovë, ende ka punë për të bërë në këtë drejtim.

“Rosa është gjashtë metra e madhe dhe e dukshme për shkak se korrupsioni në Kosovë është i madh dhe i dukshëm. Është koha për ndryshime, gjatë vitit që po lëmë pas, kanë ndodhur ndryshime të mëdha në prokurimin publik, ku është rritur transparenca dhe niveli i qasjes në dokumente të cilat flasin për shpenzimet e taksapaguesve”, ka thënë Zulfaj.

Edhe Chrisrina Davis, përfaqësuese e USAID ka thënë se në Kosovë ka ende punë për të bërë në luftën kundër korrupsionit, pavarësisht që është bërë progres.

Këtu ajo ka përmendur mundësinë e qasjes së qytetarëve në dokumentet e prokurimit publik, dhe ka inkurajuar qytetarët që t’i përcjellin vazhdimisht këto dokumente publike.

Ajo po ashtu ka premtuar që USAID do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në këtë drejtim.

“Kjo rosë e madhe e verdhë është një simbol i paqes dhe lumturisë, por anë e kënd botës tani është bërë edhe simbol i luftës kundër korrupsionit. Kjo rosë po mirëpritet edhe në Kosovë dhe është një rikujtim për të gjithë se me gjithë progresin që kemi pasur këtë vit në luftimin e korrupsionit, na ka mbetur ende shumë punë për të bërë”, ka thënë Davis.

Kurse, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsiont, Shaip Havolli ka thënë se progresi që ka shënuar Kosova në luftën kundër korrupsionit nuk mjafton.

Sipas tij, problem vazhdojnë të jenë aktakuzat drejtuar zyrtarëve të profilit të lartë. “Gjatë këtij viti agjencia ka trajtuar një numër të madh të madh të rasteve kundër korrupsion dhe ato raste ku ka pasur elemente të mjaftueshme të veprës penale, i ka dorëzuar në prokuroritë përkatëse në fushën e hetimit, po ashtu në fushën e çështjes së deklarimit të pasurisë, konflikt interesi dhe fushës së prokurimit publik.

Transparenca internacionale Kosovën këtë vit e ka radhitur në dhjetë pozita më mirë, do të thotë ka shënuar një progres të theksuar sa i përket luftës kundër korrupsionit, por a mjafton ky progres? Jo nuk mjafton”, ka thënë Havolli.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit të USAID-it “Komuna transparente, efektive dhe llogaridhënëse”.

9 dhjetori në botë shënohet si Dita Kundër Korrupsionit, e kjo datë do të shënohet edhe në Kosovë.

Sot në kryeqytet janë paraparë aktivitete të ndryshme kundër korrupsionit nga organizatat e shoqërisë civile


Shtuar më 09/12/2018, ora 14:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori