Në bisedime, diskutohet për pikat 1 dhe 31
Serbia pritet t’i rikthehet dialogut me Kosovën. Delegacioni serb tashmë ia ka prezantuar Bashkimit Europian disa modele për funksionimin e doganaveveri të Kosovës, mirëpo këto modele janë kundërshtuar nga BE-ja dhe Prishtina. Sido që të jetë, analisti për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Naim Rashiti thotë se funksionimi i doganaveveri do të mbetet temë e dialogut.

“Një lloj i shqyrtimit të funksionimit të doganaveveri do të ndodhë, por nuk do të ndryshojë sistemin dhe përmbajtjen e konkluzioneve”, ka thënë ai.

Serbia, sipas Rashitit, do të kthehet në dialog, ngase e ka parakusht të cilin duhet ta plotësojë deri në muajin dhjetor, kur mblidhen ministrat e BE-së për të aprovuar apo jo kandidaturën e saj për anëtare të BE-së. Ndërkohë që çështja e diskutimit të pikave doganore në veri, sipas tij, është një mjet që Serbia të ruajë fytyrën si dhe për zbutjen e rezistencës së serbëve ndaj dialogut dhe konkluzioneve të tij.

“Beogradi e ka shume të qartë se për partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, pikat 1 dhe 31 janë kufij të Kosovës. Do të provohet të gjenden modalitete për të qenë më të pranueshme për serbët lokalë të veriut”, ka thënë ai.

“Për datën për fillimin e negociatave do të jenë një seri kushtesh tjera, të reja dhe më të detajuara, pra presioni do të vazhdojë”, ka shtuar Rashiti.

Sipas tij, çështje kritike mbetet ajo se çka do të arrihet me kthimin në dialog.Moszbatimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë ka nxitur reagimin e autoriteteve kosovare. Rashiti thekson se gjatë javëve në vijim pritet të ketë lëvizje në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve. Mirëpo, thotë se është skeptik sa u përket rezultateve.

“Nuk e di nëse ato do të jenë të mjaftueshme për të besuar në implementim të tërësishëm në praktikë”.

E ndërkohë edhe Prishtina i ka parashtruar kushtet e saj për dialog. Rashiti bëri të ditur se është kërkuar shqyrtimi i zbatimit të marrëveshjeve rreth lëvizjes se lirë, vulës së doganave dhe lëvizjes së mallrave.
“Ndryshim të konkluzioneve nuk do të ketë, por diskutime dhe shqyrtime rreth implementimit do të ketë”, tha ai.

Rashiti konsideron se Kosova duhet të vazhdojë zbatimin e marrëveshjeve, qoftë njëanshëm. Sipas Rashitit, ka çështje tjera ku Kosova duhet të zbatojë reciprocitet. “Kosova do të përfitojë materialisht dhe ndërkombëtarisht nëse do të pranonte kodin e përkohshëm telefonik ndërkombëtar”.

Sidoqoftë, sipas analistit të ICG’së, vulën kryesore të konkluzioneve të marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet ta japë ndërmjetësuesi europian i bisedimeve, Robert Cooper. Rashiti pohon se Cooper mund të bëjë ndonjë deklaratë rreth doganaveveri.

Sipas tij, pavarësisht asaj çka diskutohet, do të mbeten dy pika funksionale fillimisht vetëm prej EULEX-it nën monitorimin e zyrtarëve doganorë të Kosovës. Mirëpo, Rashiti thotë se ato do të funksionojnë në bazë të Ligjit të Doganave, i cili do të zbatohet atje sikurse në çdo pjesë tjetër të Kosovës.
Shtuar më 04/11/2011, ora 09:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori