Në 29 prill varroset idea për ndarjen e Kosovës
Pas më shumë se 1 viti përpjekje të fshehta dhe një fushate të paprecedentë mediatike, duket se planit të presidentëve, Vuçiç-Thaçi, për shkëmbime territoresh mes dy vendeve që drejtojnë dhe me një suport të fortë nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i ka ardhur fundi.

Lajmin e jep gazeta e madhe austriake, ‘Der Standard’, sipas të cilës ideja për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë do të varroset në Berlin më 29 prill, në takimin që do të mbahet mes liderëve të Serbisë, Aleksander Vuçiç e Ana Brnabiç si dhe atyre të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, me ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Emanuel Macron.

Këtë fakt e pohon për gazetën edhe një përkrahës i kësaj ideje, këshilltari politik, Ivan Krastev, sipas tij negociatat për një skenar te tillë, e kanë humbur sensin.

“Përshtypja ime është se një ide e tillë e ka humbur aktualitetin. Në këtë frymë nuk do të ketë shkëmbim të territoreve”, është cituar ai nga Der Standard.

Ndërkohë duket se edhe diplomatë të tjerë ndajnë bindjen që në Berlin do t’i thuhet jo, një herë e mirë këtij plani. Eurodeputeti gjerman, Manuel Sarazzin nga partia e të gjelbërve, këmbëngul se kufijtë e Ballkanit Perëndimor janë të paprekshëm. Ai ndër të tjera thotë se një ide e tillë është tallje me të gjitha viktimat e luftës, dhe e rrezikshme për paqen në Evropë
Shtuar më 18/04/2019, ora 10:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori