VIDEO/ Greqia nën “pushtetin” e zjarreve për të tretën ditë radhazi, flakët shumë pranë shtëpive, momente ankthi për banorët

Për të tretën ditë radhazi zjarrfikësit grekë janë në “luftë me zjarret’’  që kanë shpërthyer në zona të ndryshme të Athinës.

Mediet në Greqi raportojnë se nga zjarret janë djegur disa shtëpi, ndërsa aktualisht janë dhjetëra vatra zjarri aktive në zonat përreth Athinës por edhe në ishullin e Rodos.

Protothema.gr shkruan se zonat më në rrezik janë Atika, Evia, Boiotia, Argolis dhe Korinthi. Banorët nga zonat me rrezik të lartë janë evakuuar, ndërsa zjarrfikësit luftojnë prej tre ditësh me zjarret. Raportohet se disa zjarrfikës kanë paraqitur probleme shëndëtësore nga lodhja dhe tymi i zjarrit. Njërit i ra të fikët.

Po ashtu ka patur ndërhyrje edhe nga ajri për shuarjen e zjarrit, por erërat e forta e kanë vështirësuar punën e ekipeve zjarrfikëse. Dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme në disa nga vatrat e zjarrit. Mësohet se në polici janë shoqëruar disa persona, të dyshuar për zjarrvënie.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis u largua para kohe nga samiti BE-CELAC, që po zhvillohet në Bruksel, për t’u kthyer në Greqi për shkak të emergjencës së zjarreve në pyje që kanë shpërthyer në zona të ndryshme të Greqisë./albeu.com/


Shtuar 19.07.2023 12:52