Shorti i “EURO 2024”, flet Edi Reja: Ishim me fat, do luftojmë me Çekinë

Shqipëria ka mësuar ditën e sotme edhe kundërshtarët e saj për eliminatorët e EURO 2024 që do të luhet në Gjermani.

Kuqezinjtë janë shortuar në grupin E me skuadra si Polonia, Çekia, Ishujt Faroe dhe Moldavinë, një grup ku fati padiskutim ishte në anën e djemve tani, pasi evituam kundërshtarë “big”.

Pas hedhjes së shortit ka folur edhe trajneri Edy Reja për “SuperSport”.

“Janë skuadra që i njohim, janë skuadra të vështira, por mund të përballemi me ta. Kemi mundësi të mira me të gjitha këto skuadra nëse do të jemi në gjendje të mirë dhe nuk do të kemi mungesa si kohët e fundit. Polonia është e fortë, kjo dihet, por do të garojmë me Çekinë për vendin e dytë.

Duhet të jemi të kënaqur me këtë grup, pasi kemi evituar emra të mëdhenj. Edhe Çekinë e njohim, pasi jemi përballur me ta në miqësore vitin e kaluar. Por, ne do të hasim vështirësi nëse do të luajmë si vitin e kaluar. Duhet të shmangim gabimet në ndeshjet e fundit.

Kontrata? Presidentin këtu e keni. Në fillim të përfundojë kontrata që kam, më pas do të ulemi të bisedojmë me presidentin. Për momentin duhet të punojmë, të mbyllim kontratën që kemi dhe më pas do të ulemi të flasim për të ardhmen”, deklaroi Reja.


Shtuar 9.10.2022 13:41