A do të ndryshonte Rusia nëse Putini do të vdiste nesër?

Nga Nick Cohen “Spectator

Supozoni sikur Vladimir Putin vdes nesër. Tek e fundit, një ditë do të vdesë. A do të vendosë në atë moment elita dhe publiku i ndëshkuar rus nga sanksionet perëndimore të braktisë ëndrrat e rikrijimit të perandorisë, dhe të zotohet të mos bjerë më kurrë pre e joshjes së udhëheqësve autokratë?

Putini do të linte pas një vend të sëmurë, që duhet të jetë i etur për ndryshim. Miti se Rusia është një superfuqi ushtarake, e cila frikësoi për shumë kohë fqinjët e saj, ka rënë tashmë për shkak të humbjeve të mëdha në njerëz dhe armatime në Ukrainë. Sulmi i paprovokuar i Putinit ndaj Ukrainës e nxiti Finlandën dhe Suedinë që të kërkojnë t’i bashkohen NATO-s.

Agresioni i tij e ka rigjallëruar Perëndimin dhe e ka motivuar këtë të fundit të furnizojë Ukrainën me armatim të avancuar. Rusia është më e varfër, më e dobët dhe po sheh drejt një të ardhmeje si një shtet-klient i Kinës, i dënuar që t’i serviloset kësaj të fundit, ashtu siç bënte dikur me Perandorinë Mongole.

Burime të paverifikuara ruse, pohojnë se Vladimir Putin është i sëmurë. Se ai vuan nga kanceri ose sëmundja e Parkinsonit. CIA nuk u beson këtyre pretendimeve dhe thotë se diktatori është “shumë i shëndetshëm”. Por le të supozojmë për një moment sikur ai vdes që nesër.

Sipas librit “Historia e Rusisë” të Orlando Figes (që ka dalë në treg këtë javë nga shtëpia botuese Bloomsbury), shanset që katastrofa e Ukrainës ta shtyjë Rusinë drejt liberalizmit kur Putin të largohet nga kjo botë, variojnë nga ato të zbehta deri në inekzistente.

Pavarësisht nga temat e zymta që trajton, ky libër është i shkëlqyer. Figes ka kryer një studim të përjetshëm mbi historinë ruse për të prodhuar një përshkrim gjithëpërfshirës të barrës të së kaluarës së saj. Kur Stalini rishkroi historinë në vitet 1930, në Bashkimin Sovjetik nisi të qarkullonte një batutë “E kaluara ndryshon aq shpesh, sa që nuk e di se çfarë do të ndodhë dje”.

Tani në shekullin XXI-të është shumë e qartë, se nuk kanë ndryshuar aspektet më të këqija

të së kaluarës së Rusisë. Nacionalistët perandorakë mund t’i ringjallin gjithmonë ato. Ata i mitizojnë ato për qëllimet e tyre, dhe i nxjerrin jashtë kontekstit të tyre.

Por në kulturën politike ruse, ka gjithmonë mjaftueshëm arsye për të justifikuar dhunën, keqardhjen për veten, përjashtimin, paranojën, autokracinë dhe luftërat e rritjes perandorake.

Për shembull shihni oligarkët e sotëm, të cilët dikur dukej se ishin udhëheqës me teprimet dhe vulgaritetin modern.

Me gjithë suksesin e tyre në joshjen e bankierëve dhe politikanëve perëndimorë në vitet 2010, ata nuk ishin figura të plotfuqishme dhe të pavarura. Prandaj sanksionet perëndimore kundër tyre nuk e kanë ndryshuar politikën ruse. Pasuria e tyre ka qenë gjithnjë e varur nga Putini.

Që kur e detyroi Boris Berezovsky-n të largohet nga vendi në vitin 2000 dhe arrestoi Mikhail Khodorkovsky-n në vitin 2003, Putini dha një mesazh të vjetër dhe të prerë. Për sa kohë që interesat e oligarkëve mbeten të nënshtruara ndaj atyre të regjimit, ai do t’i lejonte ata të gëzonin pasurinë e tyre.

Nëse e kalonin vijën e kuqe duke mbështetur politikanët opozitarë, ose duke refuzuar të paguanin ryshfetet e kërkuara, ai do t’i shkatërronte. Pak gjëra kanë ndryshuar që nga koha kur cari u tha oligarkëve në Moskë se pasuria dhe fuqia e tyre vareshin nga tekat e tij.

Rusia e hershme moderne nuk zhvilloi kurrë koncepte të pronës private apo të institucioneve të forta të pavarura që mund ta kishin zbutur autokracinë, dhe mungesa e tyre ndihet edhe sot e kësaj dite. Figes përdor argumentin e diskutueshëm për historianët nacionalistë rusë, se dominimi i Moskës nga Perandoria Mongole në shekujt XIII-XV, ndikoi më shumë se çdo faktor tjetër për të “rregulluar natyrën bazë të politikës së saj”.

Në fillim princat e Moskës dhe më pas Carët, imituan sjelljen e Khan-ëve mongolë dhe “synuan dhe zbatuan pa mëshirë nënshtrimin e plotë ndaj vullnetit të tyre të të gjitha klasave të shoqërisë ruse”. Sipas këtij leximi të historisë ruse, komunizmi sovjetik nuk ishte një ndarje e plotë me të kaluarën.

Lideri autokrat komunist, ishte i ndryshëm nga Khani ose Cari vetëm në masën e fuqisë së tij, dhe Stalini e dinte këtë gjë. Ai qortoi regjisorin e famshëm Sergei Eisenstein, që e paraqiti në film Ivanin e Tmerrshëm si të përhumbur nga pasojat e dhunës së tij. “Ky nuk është një film, por një lloj makthi”- u ankua ai në vitin 1947.

Eisenstein duhet ta kishte kuptuar se problemi nuk ishte se Ivani ishte mizor, por se nuk ishte aq mizor sa duhet. Një gabim të cilin Stalini nuk e përsëriti. Kur Ivani ekzekutonte dikë, ai kalonte një kohë të gjatë duke u penduar dhe lutur. Në këtë drejtim, Zoti ishte një pengesë për të. Por ai duhet të ishte më i pamëshirshëm.

Sundimi i Putinit e ka përforcuar pikëpamjen ndaj Rusisë si një “despotizëm aziatik”, e cila ishte shumë popullore në mesin e liberalëve dhe socialistëve të shekullit XIX-të. (Alexander Herzen e përshkroi Carin Nikolla I si “Chingiz Khan me telegraf”), me të drejtën mesianike për të dominuar mbi gjithë popujt ortodoksë.

Nga 800 shenjtorët e shpallur nga kisha që nga koha e konvertimit të Rusisë në Krishterim në fundin e mijëvjeçarit të parë, deri në shekullin XIX mbi 100 prej tyre ishin princa ose princesha. “Asnjë vend tjetër në botë nuk ka krijuar kaq shumë shenjtorë nga sundimtarët e tij”- thekson Figes në librin e tij.

Askund tjetër pushteti nuk është shenjtëruar kaq shumë. Eseja e Putinit e vitit 2021 “Mbi unitetin historik të rusëve dhe ukrainasve”, që i​ portretizonte ukrainasit si “rusët e vegjël” ishte prelud i luftës. Ajo tregoi se ku të çon zakonisht kombinimi i nostalgjisë për madhështinë e humbur perandorake me fantazitë mesianike.

Ukrainasit nuk kanë të drejtë që t’i shpëtojnë tutelës së “Big Brother” (Vëllait të Madh), dhe nëse përpiqen ta bëjnë këtë, duhet të ndëshkohen. Edhe pse liberalët rusë e urrejnë mohimin e traditave evropiane të vendit të tyre, imperialistët rusë e kanë parë gjithmonë perandorinë si një qytetërim mbi-kombëtar, të përcaktuar nga kundërshtimi i saj ndaj Perëndimit laik dhe liberal.

Përveç momenteve të shkurtra në historinë e saj, kjo lloj pikëpamje ka triumfuar gjithnjë. Në vitet 1980, unë pata fatin të mësoja nga Archie Brown, ekspert mbi Bashkimin Sovjetik. Një ditë ai u sugjeroi studentëve të tij se edhe nëse do të shembej komunizmi, historia e Rusisë nënkuptonte se popujt e saj do të pranonin një formë të re diktature.

Asokohe ne ishim të rinj dhe idealistë, dhe u rebeluam ndaj këtij koncepti. A nuk ishte deterministe, dhe gati raciste, të sugjerohej se rusët ishin programuar ta refuzonin lirinë? Dekadat e mëvonshme nuk na dhanë të drejtë. Edhe Figes e urren këtë ide, ndërkohë që nuk ofron asnjë shpëtim të besueshëm prej saj.

Në këto rrethena, nuk është gabim të supozohet që edhe nëse Vladimir Putin vdes që nesër, dikush si ai do të pasojë në pushtet. “Tradita e të gjithë brezave të vdekur, peshon si një makth në trurin e të gjallëve”- shkruante dikur Karl Marx. Dhe ky ankth nuk është askund më i madh se në atë që ishte dikur shteti i parë marksist në botë. /abcnews.al