Kur një vend e shkatërron… ndërtimi!

Nga Lutfi Dervishi

Ishte njëherë e një kohë një vend i bukur me diell, erë, ujë të rrëmbyeshëm, me dete, liqene, male të cilat u shkatërruan nga… ndërtimi.

Natyrisht kjo nuk është një përrallë që të nisë kështu, por është drama e një vendi përrallor që të  huajt e quanin Albani, ndërsa vendasit Shqipëri.

Në vendet e shkretuara nga natyra, ndërtimi është zgjidhje. Dubai për shembull, vetëm pak dekada më parë nuk kishe shenja jete, por sot falë ndërtimit shkretëtira e djeshme është tranformuar në një mrekulli të arkitekturës, në një vend të begatë, në një oaz të lakmuar nga shumëkush që preferon atë lloj turizmi.

Vendet e shkatërruara nga lufta, si Seuli ndërtimi i ka tranformuar në metropole moderne. Seuli është shembulli se si një vend ngrihet si Fenixi nga hiri i vet dhe transformohet në një simbol i  qëndresës dhe progresit.

Ndërtimi ka bërë mrekulli në vendet e shkatërruara nga fatkeqësitë natyrore si tërmeti. Mjaft të shohësh Japoninë apo se si është Haiti, sot, 14 vite pas tërmetit të tmerrshëm të 2010 për të kuptuar që ndërtimi është bekim!

Po pse në Shqipëri ndërtimi në vend që të vij si bekim na ndjek si mallkim?

Si ndodhi që ndjenja e dashurisë për atdheun e bekuar ja la vendin dashurisë platonike për betonin?

Njerëzit në shkretëtirë rendin me vrap drejt oazeve për të shuar etjen, ndërsa etja në Shqipëri shuhet vetëm me ujë dhe çimento.

Ndërtim me leje dhe pa leje. Pa leje nuk u ndërtuan vetëm shtëpi, biznese dhe qendra tregtare, por pa leje u ndërtuan edhe qytete të tëra të cilat sot janë shtrirë kudo si bar i keq.

Pa leje u ndërtua në zona historike në pronën e tjetrit, në shtratin e lumit, në bregun e detit, në majë kodrash dhe përgjatë çdo rruge e autostrade duke rrëmbyer jo veç tokën dhe diellin, por edhe shpirtin.

Ndërtimi kërkoi hapje guroresh duke shëmtuar kodrat dhe zhgarravitur malet.

Nevoja për rërë e zhavorr shkatërroi shtretërit e lumejve. Lakmia për para e çoi betonin edhe në parqe e lulishte.

Këshilla: Bli shtëpi sa të futësh kokën dhe tokë sa të hajë syri, u lexua bli tokë sa të futësh kokën dhe aty ndërto sa të hajë syri.

Ndërtimi nxiti grabitjen e pronave (me shumë shqiptare janë vrarë për një gardh se në dy luftërat boterore të marrë se bashku).

Ndërtimi nxiti fallsifikim dokumentewh dhe përmbyti gjykatën me dosje pronash të reja e të vjetra që s’ka burrë nëne  e bir kumbulle t’i japë  drejtim.

Babëzia për ndërtim ka rritur çmimin e trojeve dhe apartmenteve deri në atë pikë sa një çifti të ri në kryeqytet  i duhet të punojnë 70 vjet që të blej shtëpi për të futur kokën.

Lakmia për ndërtim ka sjellë rrafshimin e shtëpive të fukarenjve për sheshe ndërtimi të cilat sot lulëzojnë mbi dramat e të ndershmëve që u dëbuan për t’i hapur rrugë të marrëve.

Marrëzia pas ndërtimit ka zhvlerësuar dy monedhat më të fuqishme të botës, euron dhe dollarin, duke bërë që sot ndërtimi të konsiderohet si monedhë blerëse: Të jap një apartament më jep një makinë, të jap një garzoniere më jep një tokë.

Dallga e ndërtimeve vijon të përplasë e marrë përpara çdo ligj, çdo funksionar dhe çdo togë policie që guxon të dalë kundër.

Si çdo përrallë, edhe kjo e ndërtimeve duhet të mbyllej me një fund të lumtur, por s’qe e thënë. Ndërtimi ç’njerëzor vijon të lërë pas kurbane njerëzore aq sa sot çdo fjalë që mund të thuash fillon dhe mbaron vetëm me pafuqi dhe dëshpërim.

Dallga e ndërtimit po sjell cunamin e marrëzisë ndërkohë që bregu i logjikës dhe drejtësisë nuk duket në horizont!

P.S. Sigurisht që për gjithçka ka ndodhur ka përgjegjësi, por PËRGJEGJËSIA është INDIVIDUALE.


Shtuar 10.07.2023 16:45