NATO shqyrton fuqizimin e raporteve me Kosovën
Krerët e shteteve dhe të qeverive anëtare të Aleancës Veriatlantike (NATO), kanë vendosur të fuqizojnë raportet me Kosovën.

Ky qëndrim është bërë i ditur në komunikatën zyrtare të lëshuar pas takimit të Këshillit të Atlantikut Verior, ku ishin të pranishëm udhëheqësit e 28 shteteve anëtare, përfshirë edhe presidentin e SHBA-ve, Barack Obama.

Në komunikatën e Samitit të Varshavës, thuhet se mirëpriten aspiratat e Kosovës në avancimin e aftësive për të ofruar siguri për të gjithë banorët e saj dhe për të kontribuar për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

“Ne jemi në dijeni të kërkesës së Kosovës për të fuqizuar marrëdhëniet me NATO-n dhe do t’i përgjigjemi jo më vonë se në Ministerialin e Jashtëm të Dhjetorit për mënyrat e zhvillimit të përkrahjes sonë të mëtejme”, shkruhet në komunikatën zyrtare.

Mendohet se ky vendim ka ardhur si përgjigje e letrës që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ka dërguar sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Mustafa e ka dëguar këtë letër rreth një vit më parë, ku ka kërkuar që Kosova të vendos dialog të rregullt politik me NATO-n në nivelet më të larta politike dhe institucionale, hapjen e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Selinë e NATO-s në Bruksel si dhe pjesëmarrjen e Kosovës në programet e ndryshme të NATO-s.

Gjatë paraqitjeve të fundit mediale, kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, përveç liberalizimit të vizave, ka rëndësi të madhe edhe për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës si dhe procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO. /albeu.com/
Shtuar më 16/07/2016, ora 15:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori