Kryeministri i
Kosovës Isa Mustafa, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, kanë thënë të enjten se Kosova ka shënuar progres në organizatat ndërkombëtare si dhe në fuqizimin ndërkombëtar të marrëdhënieve të Republikës së
Kosovës me vendet e huaja.
Mustafa ka bërë të ditur se kanë pranuar përgjigje nga sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg që sipas shefit të ekzekutivit, konfirmohet rritja e
bashkëpunimit mes
Kosovës dhe Aleancës Veri-Atlantike.
Këto janë aktivitetet që përfshihen në letrën e NATO-s:
- Rritjen e vizitave të Këshillit të Atlantikut Verior dhe takimet me
Ekipin Këshillues Ndërlidhës të NATO-s si dhe autoritetet relevante të
Kosovës, përmes të cilave do të zgjerohet dialogu politik.
- Pastaj dialogu për aktivitetet e
bashkëpunimit praktik me NATO-n.
- Aktivitete shtesë të përshtatura për nevojat specifike të
Kosovës, të cilat mund të përfshijnë mbrojtjen e rrjeteve informatike, edukim, trajnime dhe logjistikë.
- Zgjerim të aktiviteteve në kuadër të Programit "Ndërtimi i Integritetit" me qëllim të rritjes së kapaciteteve institucionale.
- Pjesëmarrje në disa prej aktiviteteve të Programit të NATO-s "Shkenca për Paqe dhe Siguri", që ka të bëjë me mekanizmat që ofrojnë mundësitë për shkencëtarët dhe ekspertët e NATO-s dhe vendeve partnere të bashkëpunojnë në relacionet e shkencave civile, teknologjisë dhe të inovacionit.
- Konsiderimi i mënyrave që Forca e Sigurisë së
Kosovës, në suaza të mandatit të saj, të marrë pjesë si vëzhguese në ushtrimet e Qendrës Koordinuese Euro-Atlantike për Reagim në Fatkeqësi (EADRCC).
- Eksplorimi i mënyrave që FSK-ja, në koordinim me
Ekipin Këshillues Ndërlidhës, të marrë pjesë edhe në ushtrimet e KFOR-it, në përputhje me mandatin e saj.
- Ndërkaq, Divizioni për Diplomaci Publike i NATO-s do të konsideroj rrugët e për bashkëpunim dhe përkrahje të institucioneve relevante të
Kosovës, OJQ-ve, Universiteteve, dhe akterëve tjerë të shoqërisë civile që merren me çështje të paqes dhe sigurisë, me komunikim dhe diplomaci publike. /albeu.com/
Shtuar më 08/12/2016,
ora 12:39