NATO do të thotë fjalën e fundit për të ardhmen e FSK
Këshilli Veri-Atlantik do të thotë fjalën përfundimtare nëse mandati dhe misioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të duhet të ndryshoj. Zyrtarët e NATO-s kanë thënë se nëse mandati dhe misioni i FSK-së ndryshon, kjo pritet të ndodhë pasi që Këshilli Veri-Atlantik ta shqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi me rastin e gjashtë vjetorit të pavarësisë deklaroi se Forca e Sigurisë së Kosovës do të shndërrohet në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), e cila sipas tij, do t’i ketë të gjitha tiparet e një ushtrie.

Por, këtë deklarim zyrtarët e NATO e kanë cilësuar “të nivelit të brendshëm”.

“Ne jemi në dijeni për deklaratën e z. Thaçi. Kjo është një çështje e brendshme e cila përfshin institucionet lokale. Siç e kemi përmendur edhe në përgjigjet e mëparshme, NATO aktualisht mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të misionit dhe mandatit të saj fillestar, përmes Zyrës Ndërlidhëse të sapo themeluar të NATO-s dhe Grupit Këshillues”, theksohet në përgjigjen e Departamentit për Marrëdhënie me Publikun të NATO-s për Radio Kosovën.

Zyrtarët e NATO-s për formatin e ardhshëm janë shprehur se kjo pritet të vendoset pas rishikimit që do t’i bëjë Këshillit Veri - Atlantik prezencës së NATO-s.

Qeveria e Kosovës pritet të bëjë publike dosjen e dokumentit të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë nga i cili ndryshimet bien mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe dikasterin përkatës qeveritar, ministrinë e FSK-së. /albeu.com/
Shtuar më 19/02/2014, ora 11:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori