Narkotikët blihen legalisht në barnatoret e Kosovës
Instituti për Kriminologji dhe Kriminalistikë i Kosovës ka realizuar një hulumtim për shitblerjen e barnave me përmbajtje narkotike në territorin e Kosovë. Nga ky hulumtim i realizuar në mbi 20 barnatore në territorin e Kosovës, ka rezultuar se secili qytetar ka mundësi që t’i blejë këto barna pa recetë të mjekut dhe pa iu kërkuar ndonjë dokument identifikimi, i cili është i nevojshëm për regjistrim nga ana e farmacive për të raportuar para organeve kompetente.

Instituti për Kriminologji dhe Kriminalistikë i Kosovës, përmes një komunikate ka tërhequr vërejtjen për rrezikun nga mospërfillja e Ligjit në shitjen e barnave narkotike në farmacitë e Kosovës.

"Kjo dukuri, përbën shkelje të ligjeve në fuqi dhe paraqet mundësi për blerje dhe posedim të narkotikëve nga persona që kanë varësi nga to, njëherësh edhe për ata persona të cilët nga kureshtja duan t’i provojnë efektet e narkotikëve, e cila lehtësisht mund t’i dërgoj ata drejt varësisë. Çdo ilaç me përmbajtje narkotike, por edhe antibiotikët duhet të jepen me recetë dhe të evidentohet personi i cili i blen ato".

Realiteti në terren tregon se nuk janë marrë masa adekuate për parandalimin e një dukurie të tillë, apo edhe nëse janë marrë nuk kanë dhënë rezultat në parandalimin e kësaj dukurie.

Instituti për Kriminologji dhe Kriminalistikë, vlerëson se organet kompetente për mbikëqyrjen e shitjes dhe përdorimit të barnave narkotike, duhet të fokusohen në funksionalizimin e mekanizmave që merren me implementimin praktik të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi. /albeu.com/

Shtuar më 15/04/2014, ora 12:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori