E ardhmja e Bashkimit Evropian në një botë shumë të trazuar

Nga Martin Wolf “Financal Times

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

“Ligji i Kombeve do të krijohet në një Federatë të Shteteve të Lira”. Në këtë mënyrë filozofi i madh gjerman Immanuel Kant hodhi themelet e planit të tij për një “paqe të përhershme”. Asnjë pjesë e botës nuk e ka përqafuar idealizmin e tij më plotësisht se sa Evropa e pas Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, a ka vdekur tani ajo ëndërr e madhe? Diplomati britanik Robert Cooper ka deklaruar se ne mund ta ndajmë botën në “paramoderne”, një term me të cilin ai nënkuptonte pjesët ku mbretëron anarkia, në “moderne”, me të cilën ai nënkuptonte botën e “shteteve kombëtare”; dhe “post-moderne”, duke nënkuptuar përpjekjen e Evropës për të krijuar një federatë shtetesh, siç kishte kërkuar dikur Kant.

Cooper thotë se “ajo që mori fund në 1989, nuk ishte vetëm Lufta e Ftohtë apo edhe në një kuptim më formal Lufta e Dytë Botërore”. Ajo që mori fund në Evropë (por ndoshta vetëm në Evropë) ishin sistemet politike të 3 shekujve:ekuilibri i fuqisë dhe nxitja perandorake.

Askush që e njeh historinë e Evropës nuk duhet të jetë aspak i befasuar nga dëshira për një mënyrë tjetër të sjelljes dhe marrëdhënieve të shteteve me njëri-tjetrin. Në fakt, duhet të jesh vërtet budalla për të mos kuptuar këtë. Megjithatë, si përshtatet kjo BE idealiste me botën tonë të re, në të cilën nxitja perandorake është tmerrësisht e dukshme në kufijtë e saj?

Si përshtatet ajo me një botë që nuk karakterizohet më nga asgjë që mund të quhet me bindje një “rend ndërkombëtar i bazuar në rregulla”, por më tepër nga krizat ekonomike, pandemitë, de-globalizimi dhe konflikti midis fuqive të mëdha? Teorikisht, ndoshta BE-ja “post-moderne” mund të mbijetojë në këtë botë të re që ka impulset e saj të frikshme të vetë-shkatërrimit.

Por ëndrra e pas vitit 1989 për një rend botëror shumë të ndryshëm, e bëri shumë më të lehtë për BE-në që të ishte kontinenti i begatë dhe paqësor që donte të ishte. SHBA-ja e shfrytëzoi “momentin unipolar”, duke e përdorur peshën e saj ushtarake në mbarë botën.

Por siç e tregoi reagimi i saj ndaj luftës në Irak, kjo nuk ishte ajo që donte Evropa. Disa nga problemet me të cilat përballet sot BE-ja, burojnë nga fakti që ajo është një konfederatë shtetesh dhe jo një shtet kombëtar. Vështirësitë e menaxhimit të ekonomive divergjente brenda një bashkimi monetar janë një rezultat i pashmangshëm.

Banka Qendrore Evropiane luan një rol thelbësor politik në mbajtjen bashkë të ekonomive të eurozonës. E megjithatë tregu i përbashkët nuk është i integruar ashtu si tregu amerikan. Mungesa e dinamizmit në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit duhet të shpjegohet pjesërisht me këtë realitet.

Tek e fundit, vetëm një kompani evropiane, ASML, prodhuese e pajisjeve për prodhimin e çipave, është ndër 10 kompanitë më të vlefshme të teknologjisë në botë. Vështirësi të tilla ka të ngjarë që të shtohet në këtë ekonomi botërore që është më nacionaliste dhe më e fragmentuar.

Tregjet e hapura botërore nga të cilat varej sidomos Gjermania, po bëhen gjithnjë e më pak të tilla. Dhe kjo gjë do ketë me siguri koston e saj. Për më tepër, SHBA-ja po shkon drejt një politike industriale më ndërhyrëse dhe proteksioniste. Për Bashkimin Evropian, një ndryshim i tillë krijon probleme ekzistenciale.

Përpjekje të ngjashme në union priren të jenë më shumë kombëtare sesa evropiane. Dhe kjo gjë do të kërcënonte tregun e përbashkët, dhe do t’u jepte në dorë “kamxhikun” vendeve anëtare që kanë më shumë burime. Më e favorizuar do të jetë Gjermania.

Njëkohësisht, kostot më të larta energjetike në Evropë sesa në SHBA, përbëjnë një kërcënim për industrinë e saj të rëndë. Ndërkaq për sigurinë e BE-së, janë shfaqur dy kërcënime të mëdha. E para është përplasja me Rusinë, teksa ekziston një frikë në rritje se shumë shpejt mund të nisë të mbështetet ushtarakisht nga Kina.

Megjithatë, ky është vetëm një aspekt i ndarjes së botës në blloqe rivale, me pasoja të pallogaritshme dhe afatgjata për të gjithë, por veçanërisht për bllokun që dëshiron mbi të gjitha paqen. Kërcënimi tjetër vjen nga mjedisi global.

Ndërsa BE-ja ka qenë në krye të politikave kundër ndryshimeve klimatike, ky është një problem që ajo nuk mund ta zgjidhë dot vetë, pasi prodhon vetëm 9 për qind të emetimeve globale, dhe nuk është përgjegjëse për asnjë lloj rritje të re të këtij niveli.

Atëherë si mund të reagojë BE-ja, e çliruar nga pengesat e brendshme të krijuara nga një Britani e Madhe e fiksuar pas sovranitetit, ndaj një mjedisi global kaq të ndryshëm nga ai që shpresonte rreth 3 dekada më parë? Në nivel global, ajo duhet të vendosë nëse dëshiron të jetë një aleate, një urë apo një fuqi.

Për sa kohë që SHBA-ja mbetet një demokraci liberale dhe e përkushtuar ndaj aleancës perëndimore, BE-ja është e detyruar të jetë më afër saj sesa me fuqitë e tjera të mëdha.

Pra në këtë botë, kjo e bën atë të jetë më shumë gjasa një aleate e nënshtruar.

Një rol i saj si një urë do t’i vinte më përshtat një entiteti të përkushtuar ndaj idealit të një rendi të qeverisur nga rregullat. Megjithatë, problemi është se si të jesh një urë lidhëse në një botë thellësisht të ndarë, në të cilën BE-ja është shumë më afër njërës palë sesa tjetrës.

Alternativa e tretë është të synosh të bëhesh vetë një fuqi e llojit të vjetër, me burime të ndara enkas për politikën e jashtme dhe sigurinë në përpjesëtim me shkallën e saj. Por që të ndodhë kjo, Bashkimit Evropian i duhet një bashkim shumë më i thellë politik por edhe fiskal.

Pengesat për këtë janë të shumta, përfshirë mosbesimin e thellë të ndërsjellë. Reformat e brendshme duhet të varen kryesisht nga roli që dëshiron të luajë BE-ja në këtë botë të re.

Sa më aktive dhe e pavarur të dëshirojë të jetë, aq më i rëndësishëm do të jetë thellimi i federalizmit të saj.

Padyshim, një thellim i tillë do të ishte i rrezikshëm, pasi do të zgjonte reagimet nacionaliste. Por ashtu, mund të jetë i pamundur konsensusi. Por një shkallë e thellimit të integrimit mund të jetë e pashmangshme, duke pasur parasysh nevojën për një qasje më të fortë në fushën e sigurisë, si dhe brishtësinë e dukshme në aspektin e divergjencë në të gjithë eurozonën.

Ëndrra kantiane nuk ka rezultuar e eksportueshme. Ne jetojmë sot në një botë të karakterizuar nga çrregullimi, nacionalizmi dhe nga konflikti midis fuqive të mëdha. Kjo nuk është bota për të cilën ëndërronte dikur BE-ja. Por nëse udhëheqësit e saj dëshirojnë që ta ruajnë eksperimentin e tyre të madh mbi marrëdhëniet paqësore, ata duhet ta bëjnë atë më të fortë për të përballuar ”stuhitë” e ardhshme. /albeu.com

 


Shtuar 9.03.2023 18:36

Tags: