Na dërrmoi “Interesi i Kosovës”!
Pëlqej
nga Arton Muhaxheri

Por, të gjithë s’mund të kenë të drejtë, sepse proceset ose janë interes ose nuk janë interes për Kosovën. Mes nuk mund të ketë. Është e natyrshme të ketë diversitet në mendime për një çështje të caktuar, por jo këndvështrime diamteralisht të kundërta kur është në pyetje interesi i Kosovës.

Shumë procese i ka kaluar Kosova, madje të dhembshme, e që janë mbështjellë në një kuti me letrën dekoruese ku shkruhej “Interes i Kosovës”.

Qeveria në largim, e cila udhëhoqi Kosovën për dy mandate, ishte ajo që më së shumti e përdori “Interesin e Kosovës” si mekanizëm për t’i mbuluar të gjitha proceset që ishin kundër interesave shtetërore. Dy raste për ilustrim janë goxha të freskëta, nëse e kthejmë kujtesën pak vite më parë (përjashtuar këtu shumë raste të tjera të cilat gjithçka kanë mundur të jenë pos jo interes i Kosovës).

Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike u pa si interes jetik për zhvillimin ekonomik të vendit. Me përjashtme të vogla, gjithçka ishte jashtë çdo interesi të Kosovës, sepse privatizimi as nuk krijoi vende pune e as nuk e zhvilloi Kosovën ekonomikisht ashtu si u proklamua në fillim.

Procesi i bisedimeve me Serbinë është më i freskët: ka filluar vite më parë dhe ende nuk ka përfunduar. Edhe këtu na është thënë se bisedimet me Serbinë i bëjmë për interes të Kosovës, edhe pse Serbia ende nuk na njeh si shtet; edhe pse në Serbi vazhdojnë të kemi trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit; edhe pse Serbia ende nuk i ka kërkuar falje popullit të Kosovës për dëmet që ia ka shkaktuar...

Këto bisedime nuk ishin e as nuk janë interes i Kosovës, por ja që Qeveria jonë përmes këtyre bisedimeve arriti t’i legjitimojë strukturat paralele në Kosovë, tashmë të përfaqësuar edhe në Kuvendin e Kosovës me Listën Sërpska (që po ashtu vazhdojnë të mos e njohin Kosovën si shtetin e tyre).

A ishte ky interesi i Kosovës?!

Po të ishin bërë punët vërtet në emër të interesit të Kosovës, sot do t’i kishim punët shumë më mirë:

- Do ta kishim një Kosovë pa korrupsion dhe pa krim të organizuar…

- Do ta kishim një Kosovë ku sundon rendi dhe ligji…

- Do ta kishim një Kosovë me një proces ndryshe të privatizimit dhe më të zhvilluar ekonomikisht…

- Do ta kishim një dialog me Serbinë në një standard tjetër…

- Do ta kishim një Kosovë që i përgjigjet interesave të qytetarëve, sepse ky është interesi i Kosovës. Nuk mund të jetë interes i Kosovës presioni i ndërkombëtarëve mbi politikanët tanë dhe që kjo të përkthehet si interes i vendit...

Duke u thirrur të gjithë liderët se çdo veprim të tyre e bëjnë për interesin e Kosovës, atëherë nga një këndvështrim i jashtëm Kosova mund të duket si një vend ku është bërë shumë punë në interes të saj dhe që përfitimet e kësaj pune po i gëzojmë të gjithë.

Por, në realitet, gjendja e brendshme tregon se është bërë shumë pak për interesin e Kosovës, sa që kësaj pune po i gëzohen vetëm qeveritaret për të qëndruar më shumë në pushtet.

Interes i Kosovës është ky?!/albeu.com/
Shtuar më 05/08/2014, ora 10:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori