VOA: Qeveria në Kosovë modifikon afatin për targat serbe, por nuk heq dorë nga vendimi

Qeveria e Kosovës vendosi që të zbatojë me tri faza afatin për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Republikës së Kosovës dhe për vendimin e saj i njoftoi edhe shtetet anëtare të QUINT-tit. Kryeministri Albin Kurti tha në një konferencë për medie të premten në mbrëmje (28.10) se zbatimi i vendimit për targat serbe megjithatë fillon më 31 tetor dhe do të kalojë nëpër tri faza.

Fazat e konvertimit të targave

“Për tri javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor fillon masa e qortimit. Pastaj për dy muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill s’mund të ketë, sepse s’mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës. Me këtë sekuencim dhe shkallëzim ne tregojmë seriozitetin tonë që padyshim ta zbatojmë vendimin që kemi marrë e u japim shanse të gjithë atyre që dëshirojnë të integrohen”.

Kryeministri Kurti tha se “kjo është mënyra që edhe ta zbatojmë rendin e ligjin por në anën tjetër ta kemi përgjigjen tonë për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë në vendin tonë, por jo vetëm”.

Ndërkombëtarët të zhgënjyer me qeverinë e Kosovës

Shkallëzimi i vendimit të qeverisë së Kosovës për targat serbe të makinave, ndodhi në ditën kur Departamenti Amerikan i shtetit dhe diplomatë ndërkombëtarë shprehen zhgënjimin me qeverinë e Kosovës e cila refuzoi kërkesën e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian që zbatimin e vendimit për targa të paraparë të hyjë në fuqi me 31 tetor, ta shtyjë edhe për 10 muaj.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për ta bërë një gjë të tillë”, u tha në një deklaratë të Departamentit amerikan të Shtetit, vetëm disa minuta pasiqë qeveria e Kosovës shpalosi një plan të saj të ri për zbatimin e vendimit për targat. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “ky vendim nuk është shtyrje e afatit për targat”.

SHBA-të thanë ndërkaq, që Kosova ka të drejtë të zbatojë vendimin për targat, sipas Marrëveshjes së Brukselit, por shtuan se “zgjatja e afatit do të ishte në interes që të arrihej përparim në dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, dialog ky  që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian”. Departamenti Amerikan i shtetit kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të punojnë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.

Vuçiq paralajmëron rezistencë

Një ditë më parë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se serbët në Kosovë nuk do të heqin dorë nga targat KM (Mitrovicë e Kosovës), dhe paralajmëroi “rezistencë” nëse pas 31 tetorit, Kosova konfiskon targat dhe makinat. Këtë deklaratë, Vuçiq e bëri pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, ku morën pjesë edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës./voa


Shtuar 29.10.2022 12:49