Droga dhe lidhja midis spiunëve, trafikantëve dhe konflikteve hibride

Nga Emmanuel Pietrobon “Il Giornale

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Trafikantët meksikanë të drogës po përgatiten të shesin një ngarkesë me droge sintetike të përpunuar me lëndën e parë të furnizuar nga agjentët sekretë kinezë. Ata duan të fitojnë para në tregun më të madh të drogës në planet. Ndërsa agjentët kinezë 007, synojnë që të mbushin rrugët e rivalit më të madh të vendit të tyre, SHBA, me zombi të vërtetë.

Të dyja palët fitojnë, edhe pse në mënyra të ndryshme, teksa Amerika është e detyruar të shpallë një emergjencë të shëndetit publik. Trafikantët afro-amerikanë të drogës po ia shesin kokainën e blerë me çmime jashtë tregut një shitësi me shumicë të panjohur që vjen nga Nikaragua.

Ata nuk kanë besim tek ai. U duket si një operacion i fshehtë i policisë federale. Por droga është në sasi të bollshme, kushton pak dhe Shtetet e Bashkuara janë në kulmin e epidemisë së krakut. Kur shitësi i shumicës zhduket pa nam e nishan dhe pa i lajmëruar, ata mendojnë se ardhja e patrullave të policisë është çështje orësh.

Në fakt nuk ndodh kështu: do ta shohin sërish furnizuesin e tyre në një lajm në televizion. Ai paraqitet nga gazetari si një gueril Contras. Klaneve që dominojnë peizazhin kriminal të Marsejës në Francë, u afrohet një burrë që pretendon se është agjent i CIA-s.

Ai ka ardhur nga Uashingtoni për t’iu bërë ofertën klasike që nuk mund të refuzohet: autoritetet amerikane dhe franceze do të mbyllin njëri sy mbi trafikun e tyre ndërkombëtar të heroinës, në këmbim të ndihmës kundër Moskës. Meksika sot. Shtetet e Bashkuara gjatë viteve 1980.

Franca në vitet 1950-1960. Histori të vërteta të aleancave jo të shenjta midis krimit të organizuar dhe shërbimeve sekrete, forca të kundërta që duhet ta urrejnë njëra-tjetrën, ta luftojnë njëra-tjetrën, por që më shpesh se sa mendohet, bashkëpunojnë në emër të parasë dhe pragmatizmit.

Jo të gjitha luftërat bëhen me ushtarë, armë dhe tanke. Kështu ndodh vetëm me ato më të rëndësishmet. Ndërkohë shumë herë të tjera, nën hijen e embargove, komploteve brenda pallateve të pushtetit dhe përplasjeve diplomatike, shtetet përballen me njëri-tjetrin në një mënyrë jo konvencionale.

Sepse në luftë është e drejtë të përdoret gjithçka. Madje edhe rekrutimi i trafikantëve të drogës si agjentë sekretë, përdorimi i mafias për të kryer sulme të rreme por edhe krijimi i karteleve shtetërore të drogës. Historia e dekadave të fundit, është ajo e një vargu aleancash jo të shenjta midis shërbimeve sekrete dhe krimit.

CIA amerikane dhe MI6 britanike kontaktuan klanet kriminale në periferi të Teheranit, për të përhapur kaos në rrugët e kryeqytetit iranian në kulmin e Operacionit Ajax. Po ashtu, Shtetet e Bashkuara përdorën rrjetin amerikan Cosa Nostra për të përhapur terror në Kubën post-revolucionare, sidomos gjatë Operacionit Mongoose.

Por histori të këtij lloji janë të shumta. Lista e aleancave jo të shenjta është e gjatë dhe përfshin shumë vende, perëndimore dhe joperëndimore, demokratike dhe autoritare, si Shqipëria, Koreja e Veriut, Republika Popullore e Kinës, Rusia, Serbia, Turqia dhe Venezuela.

Nuk është dhe aq natyra e regjimit politik dhe ndjeshmëritë kulturore që i bëjnë të mundshme ose të pamundura këto marrëveshje moralisht të dyshimta por politikisht të dobishme, sa edhe konteksti i brendshëm, situata ndërkombëtare dhe synimet që duhen arritur. Tre faktorë që mund të ndikojnë tek kohëzgjatja, shpeshtësia dhe shtrirja e marrëveshjeve.

Gjithçka bazohet në moton qëllimi justifikon mjetet. Për Korenë e Veriut, viktimë e një regjimi të ashpër dhe mbytës të sanksioneve, kontrabanda e mallrave të falsifikuara dhe të paligjshme, nga dollarët e falsifikuar tek droga, është një mënyrë për të fituar sasi të mëdha parash që përndryshe do të ishte e pamundur të mblidheshin.

Për ‘shtetin e thellë’ të Ankarasë, që ka bashkëpunuar me familjet mafioze turke që nga Lufta e Ftohtë, në lojë është kontrolli i diasporës dhe i zonave gri të Anadollit, siç janë rajonet me shumicë kurde. Është interesi kombëtar ai që dikton zbatimin e ligjit.

Për Shtetet e Bashkuara ka qenë gjithmonë një çështje politike, dhe në shprehjen e saj më makiaveliste. Nga këtu buron pakti katërpalësh midis CIA-s, Contrasve, Crips dhe Bloods, të riemërtuar si Aleanca e Errët nga Gary Webb, me një mision anti-sandinist.

Opiumi është elementi i përsëritur i shumë komploteve të largëta nga njëra-tjetra në kohë, dhe që kanë pasur për protagonistë shërbimet sekrete, mafiozët, bandat dhe kartelet si aktorë mbështetës të tyre dhe një vend që duhet gjunjëzuar në një mënyrë të pazakontë apo një lider që duhet eliminuar si kundërshtar.

Pikërisht në plantacionet e lulëkuqeve të opiumit dhe Erythroxylum coca, janë shkruar shpesh kapituj të rëndësishëm të librave të historisë, siç janë Luftërat e Opiumit, dhe aleancat midis shteteve dhe anti-shteteve në emër të interesit kombëtar (për të parën) dhe të pasurimit (për këtë të fundit).

Opiumi ishte një nga aleatët më të rëndësishëm, por më pak të njohur të Botës së Parë gjatë Luftës së Ftohtë. Lordët e drogës të Trekëndëshit të Artë u përfshinë në aleancën e madhe kundër Bashkimit Sovjetik: u garantua mbrojtja e plantacioneve të tyre dhe hyrja e drogës së tyre në tregun amerikan, me ndihmën e vetë Air America, në këmbim të ndihmës në luftërat civile dhe ato përmes palëve të treta në gadishullin e Indokinës.

Ndërkohë në Amerikën Latine, agjentët e CIA-s, ndërtuan një rrjet aleancash antikomuniste të bazuara në mbështetjen e karteleve të drogës dhe tek lehtësimi i trafikut të paligjshëm të drejtuar nga grupet guerile të ekstremit të djathtë. Lufta e kontrasve në Nikaraguan që mbështetej nga të ardhurat e kokainës që shitej nëpër rrugët e Kalifornisë me ndihmën e bosëve të drogës nga Meksika dhe Hondurasi, si Juan Ramón Matta-Ballesteros.

Trafikantët e drogës mund të jenë spiunë të shkëlqyer dhe mbi të cilën dyshohet pak.

Herë të tjera ata kanë ndihmuar në mbledhjen e parave të mjaftueshme për të financuar një luftë guerile. Dhe tani siç tregohet nga rasti i aleancës jo të shenjtë midis Pekinit dhe trafikantëve meksikanë, ata mund të kontribuojnë në shkatërrimin social të rivalit duke përmbytur rrugët e tij me droga të lira dhe vdekjeprurëse.

Të shkruash mbi paktin midis Kinës dhe trafikantëve meksikanë për prodhimin e heroinës të llojit Fentanyl është e barabartë me tregimin e anës së errët të krizës së opioideve, urgjencën më serioze sociale dhe shëndetësore në historinë e Shteteve të Bashkuara, e cila është njëherazi një luftë hibride. Dhe për më tepër, shifrat e krizës, janë ato të një buletini lufte: 841.000 të vdekur nga mbidoza midis viteve 1999-2022. Sepse kush plagoset nga opiumi, vdes nga opiumi. /albeu.com


Shtuar 30.05.2023 11:54