Mustafa thotë se Haradinaj bëri mirë që i tha “po” ftesës së presidentes
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka postuar një deklaratë në llogarinë e tij personale në Facebook, lidhur me takimin e ditës së hënë që zhvilloi presidentja, Atifete Jahjaga.

Ai komentoi takimin e së hënës, duke e cilësuar si gjest të mirë, pjesëmarrjen e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj në tryezë.

Kryeministri ka shkruar se “nëse partitë opozitare e kanë sikletin te dy marrëveshjet, atëherë duhet të bashkëbisedojnë për to”, duke shtuar se mungesa e vullnetit për të bashkëbiseduar nuk u jep të drejtë të ushtrojnë veprime të dhunshme transmeton Telegraf.

Postimin e plotë të kryeministrit Mustafa mund ta lexoni më poshtë:

"Miq të nderuar,

Dialogu, në fjalorin e shqipes së sotme shpjegohet si bashkëbisedim; rrahje e një çështjeje nga dy a më shumë veta duke biseduar drejtpërdrejt.

Shtrohet pyetja, pse duhet të ftohen qytetarët të protestojnë në Kryeqytetin tonë, pse duhet të hedhet gaz lotsjellës në Parlamentin e Kosovës e sprej helmues nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit; pse duhet të digjen ndërtesat e Qeverisë e të hedhen shishe të ndezura me benzinë në policët e Kosovës, e mos të bashkëbisedohet për temat, të cilat shfrytëzohen si pretekst apo kauzë për këto veprime.

Në qoftë se, vërtet partitë opozitare e kanë sikletin te dy marrëveshjet, atëherë duhet të bashkëbisedojnë për to. Mungesa e vullnetit për të bashkëbiseduar nuk u jep të drejtë të ushtrojnë veprime të dhunshme.

Ishte një gjest i mirë i liderit të AAK-së, i cili iu përgjigj ftesës së Presidentes për të marrë pjesë në një tryezë të përbashkët, pozitë- opozitë. E vlerësoj këtë pjekuri politike për vendin, nga një luftëtar, pa marrë parasysh se çfarë kanë qenë qëndrimet e z. Haradinaj, çfarë ka prezantuar dhe çfarë nuk ka prezantuar. Fundja, ishte bashkëbisedim.

Si Kryeministër i vendit kam bërë ftesë serioze që të bashkëbisedojmë por, po ashtu, kam shprehur gatishmërinë që në këtë cilësi, por edhe në cilësinë e kryetarit të LDK-së të bisedojmë drejtpërdrejtë, para së gjithash në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Bashkëbisedimi është kulturë e jona familjare e shoqërore, sepse ashtu gjejmë zgjidhjet dhe i argumentojmë ato. Ultimatumet nuk janë zgjidhje demokratike. Ultimatume japin vetëm ata që përcaktohen për forcë e dhunë. Pasqyrat e pasojave nga sjelljet e tilla sot i shohim në kryelajmet botërore. Kosova ka nevojë për kryelajm, por ky kryelajm duhet të ishte sinergjia jonë për ta ndërtuar këtë vend. Jo, konflikti dhe përçarja! IM" (sic), ka skruar Mustafa. /Albeu.com/
Shtuar më 10/02/2016, ora 19:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori