Mustafa tallet me idenë e Lutfi Hazirit
Qesharake, absurde dhe nënçmim e ka konsideruar, ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, idenë se Serbia mund t’i japë Kosovës Luginën e Preshevës pa asgjë në këmbim. E megjithatë vlen të theksohet se kjo ide është paraqitur më herët dhe që mbështetet ende nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Në paraqitjen e parë televizive, pas nëntë muajsh, Mustafa theksoi se LDK-ja do ta kundërshtojë çfarëdo marrëveshje që përfshin shkëmbim të territoreve.

“S’mund të presim ne se Serbia s’e ka njohur Kosovën sepse dëshiron që Kosovës t’ia japë edhe Luginën e Preshevës”, ka thënë ai në "Rubikon" të KTV'së.

“Assesi ta bosnjëzojmë Kosovën dhe ta shndërrojmë sistemin kushtetues të Kosovës në sistem asimetrik i cili pastaj nuk funksionon”.

Lidhja Demokratike do ta kundërshtojë çdo opsion i cili nënkupton shkëmbim të territoreve mirëpo, theksoi Mustafa, kjo nuk do të thotë që ata nuk do të vazhdojnë të interesohen për jetën dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginë.

Mustafa përmendi se një marrëveshje e tillë nuk përbën rrezik vetëm për Kosovën po për të gjithë rajonin duke përfshirë Maqedoninë e pjesën e shqiptarëve në Mal të Zi.

“Iniciativa jonë së bashku me Vetëvendosjen e PSD-në që të kërkojmë nga Kuvendi që t’ia ndalojë çdo kujt që të diskutojë apo shtrojë si temë të dialogut çështjen e kufijve lind nga kjo sepse konsiderojmë që është një hap shumë i rrezikshëm. Edhe unë kam qenë kryeministër po kurrë nuk është shtruar në tavolinë çështja e ndryshimit apo korrigjimit të kufijve”, deklaroi Mustafa.



Shtuar më 03/09/2018, ora 20:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori