Mustafa takon senatorin amerikan, i flet për "kauzat e dhunshme e të paqëndrueshme" të opozitës
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të martën në takim senatorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bob Corker. Në takim, Mustafa i foli senatorit amerikan për përkushtimin e Qeverisë për dialog dhe kauzat e dhunshme dhe të paqëndrueshme politike të opozitës.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e njoftoi senatorin Corker për trendet pozitive të zhvillimeve në të gjitha fushat e jetës në Kosovë, si rezultat i politikave dhe reformave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa e njoftoi në detaje për prioritetet e Qeverisë dhe fokusin e saj kryesor në zhvillimin ekonomik, proceset integruese euroatlantike, si dhe në fuqizimin e institucioneve demokratike.

Kryeministri Mustafa dhe senatori Corker biseduan gjerësisht edhe për zhvillimet politike në Kosovë, ku kryeministri e njoftoi për përkushtimin e plotë të Qeverisë për adresimin me dialog në institucione, të çdo teme të rëndësishme, duke lënë anash format e dhunës të përdorura për kauza të paqëndrueshme politike.

Kryeministri Isa Mustafa, theksoi mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e jashtëzakonshme që SHBA-të kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për Kosovën.

“Qytetarët e Kosovës janë krenarë me miqësinë e shtetit të Kosovës me SHBA-të, pasi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin miqtë dhe përkrahësit më të mëdhenj të Kosovës në botë”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur po ashtu përkushtimin e Qeverisë për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-të si partneri kryesor strategjik i Kosovës.

Senatori i SHBA-ve, Bob Corker, gjatë takimit, vlerësoi progresin që është arritur në Kosovë gjatë këtyre viteve. Duke theksuar miqësinë e fortë ndërmjet dy shteteve, senatori Corker çmoi njëkohësisht lidershipin dhe vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për të avancuar proceset zhvillimore e demokratike në vend.

Senatori Bob Corker u interesua për zhvillimet në Kosovë dhe më gjerë, duke theksuar përkrahje për proceset në Kosovë", thuhet në kumtesën për media. /albeu.com/
Shtuar më 16/02/2016, ora 13:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori