Mustafa takon komisionerin e BE-së: Kemi shumë nevojë për liberalizimin e vizave
Kryeministri Isa Mustafa ka pritur në takim komisionerin e Bashkimit Evropian për Edukim, Kulturë, Rini dhe Sport, Tibor Navracsics.

Sipas një njoftimi të Kryeministrisë, gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, u bisedua për progresin e Kosovës në të gjitha fushat, me theks të veçantë në proceset integruese evropiane dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përkrahur avancimin dhe reformat në arsim, kulturë dhe mbështetjen e rinisë e sportit në Kosovë.

"Kryeministri Isa Mustafa e njohu edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, për prioritetet e Qeverisë që lidhen me zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, forcimin e shtetit ligjor, si dhe reformat në shëndetësi e aspekte të tjera në kuadër të zhvillimit të vendit", thuhet në njoftim.

Më tej shtohet se kryeministri Mustafa theksoi se reformat në drejtim të ngritjes së cilësisë në arsim dhe kulturë, si dhe përkrahja e fuqishme për rininë e sportin, janë prioritete të programit qeveritar, duke e njoftuar komisionerin e BE-së me hapat konkret të Qeverisë në këtë drejtim.

"Lidhur me proceset integruese evropiane, kryeministri Isa Mustafa shprehu nevojën që Kosova sa më shpejt të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe që BE-ja të marr vendim për liberalizmin e vizave, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mund të qarkullojnë të lirë në vendet evropiane ashtu si qytetarët e të gjitha vendeve tjera në rajon", thuhet në njoftim.

Veç këtyre, shtohet se Komisioneri i BE-së për Edukim, Kulturë, Rini dhe Sport, Tibor Navracsics, vlerësoi progresin në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtejshme të Bashkimit Evropian për Kosovën.

"Duke çmuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përkrahur proceset që lidhen me edukimin, kulturën, rininë dhe sportin, komisioneri Navracsics, po ashtu shprehu përkrahjen e BE-së në këto aspekte të rëndësishme të zhvillimeve në Kosovë", përfundon njoftimi i Kryeministrisë. /albeu.com/


Shtuar më 14/07/2015, ora 16:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori