Mustafa: S'lejojmë tjetërsimin e Trepçës. Stavileci: Do mbrohet
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa shkruan se miniera e Trepçës është pasuri nacionale e Kosovës, dhe se nuk është një kompani e thjeshtë e cila mund të tjetërsohet. Mustafa është shprehur se qeveria do të ndërmarrë të gjithë hapat në mënyrë që të sigurohet legjitimiteti dhe interesi nacional mbi Trepçën.

“Trepça është pasuri nacionale e Republikës së Kosovës, nuk është një kompani e thjeshtë e cila mund të tjetërsohet. Qeveria do të ndërmerr të gjithë hapat në mënyrë që të sigurohet legjitimiteti dhe interesi nacional mbi Trepçën. Po punojnë ministritë përkatëse për të ofruar zgjidhjen afatgjate, duke përfshirë edhe ruajtjen e vendeve të punës së mbi pesë mijë të punësuarve dhe atyre që potencialisht mund të punësohen në këtë gjigant kosovar. Vlerësoj angazhimin e Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri të Kuvendit të Kosovës për të gjetur zgjidhje afatgjatë. Por një gjë duhet të jetë e qartë, Trepça do ta merr statusin që e dëshirojnë minatorët, që e dëshirojnë qytetarët e Kosovës”, shprehet kryeministri Mustafa.

Edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci thotë se “Trepça” do të mbrohet me ligj. Sipas tij, nesër në rendin e ditës në mbledhjen e Qeverisë do përfshihet edhe shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

“Ky projektligj kishte kaluar leximin e parë në legjislaturën e kaluar, por pas shpërbërjes së Kuvendit është kthyer përsëri në pikën zero. Duke u bazuar në të, Kuvendi mund të marrë vendim që t’i heqë nga kompetencat e Agjencisë Kosovare për Privatizim ndërmarrjet shoqërore ose njësitë organizative të tyre - përfshirë asetet dhe të autorizojë Qeverinë, që këtë ndërmarrje shoqërore ose njësitë e saj t’i regjistrojë si ndërmarrje publike qendrore në pronësi të Republikës së Kosovës”, thotë Stavileci.

Sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik, "kompleksi “Trepça” është interes madhor i shtetit, i cili është ndërtuar me mundin dhe punën e vyer të minatorëve tanë dhe ne do të ndërmarrim hapa konkretë për fuqizimin dhe zhvillimin e tij". /albeu.com/
Shtuar më 14/01/2015, ora 09:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori