Mustafa: Simbolet e Rugovës të bëhen shtetërore
Pëlqej
Abonohu për lajmet me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
Një shtet që nuk ka zhvillim ekonomik rrezikon të bëhet shtet i krimit e korrupsionit, ka deklaruar të dielën lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Këto komente, ai i ka bërë gjatë shënimit të 23-vjetorit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, aktualisht subjekti më i madh opozitar në Kosovë.

Mustafa ka thënë se Kosova duhet të ecë përpara në reformimin e saj demokratik, si dhe në zhvillimin ekonomik e politik për të qenë një shtet i suksesshëm.

Përveç kritikave adresuar qeverisjes aktuale, Mustafa i drejtoi edhe mesazhe komunitetit ndërkombëtar duke thënë se faktori ndërkombëtar në Kosovë të angazhohet shumë më shumë për sjellje ligjore mbi parime të demokracisë, e jo që objektiv kryesor të jetë stabiliteti politik.

"Një shtet, i cili nuk ka zhvillim, bëhet shtet i krimit dhe korrupsionit, shtet i cili në vend se të fabrikojë produkte dhe të mira për popullsinë, fabrikon të burgosur dhe kriminelë. Ne nuk e dëshirojmë një shtet policor, një shtet të ngulfatur nga oligarkia politike dhe strukturat parashtetërore".

"LDK-ja do të luftojë për konceptin e shtetit, në të cilin demokracia do të ngrihet mbi baza të zhvillimit ekonomik dhe social, në të cilin puna do të bëhet kriter i pasurisë, e jo korrupsioni dhe abuzimi i parasë publike", ka thënë Mustafa.

Ndërkohë, nënkryetari i LDK-së, Sabri Hamiti, është shprehur se demokraci në Kosovë nuk mund të ketë pa zgjedhje të lira, pa vullnet qytetar, e pa institucione të përgjegjshme e demokratike. Ai ka theksuar se një trend i tillë ka sjellë si sfidë serioze rritjen e korrupsionit e krimit në vend.

"Kosova ende është larg realizimit të synimeve të programeve, standardeve e vlerave evropiane, të cilat kërkojnë konkurrencë, vlera humane e vlera autentike dhe jo rrjete të korrupsionit e krimit të organizuar, qofshin këto joformale apo formale. Standard evropian është sundimi i ligjit dhe zhvillimi i përgjithshëm. Korrupsioni ka shpërla shoqërinë dhe shtetin tonë në shkallën që rrezikon të ardhmen e vendit", ka deklaruar Hamiti.

Në 23-vjetorin e themelimit të LDK-së, kryetari i saj, Isa Mustafa, i cili mban edhe postin e kryetarit të Prishtinës, ka kontestuar sërish flamurin dhe himnin e Kosovës. Ai është zotuar se kur LDK-ja të vijë në pushtet, simbolet shtetërore të Kosovës do të jenë ato që i kishte prezantuar presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova.

"LDK-ja do ta bëjë realitet, bashkë me qytetarët e vendit, që Flamuri i Dardanisë të jetë flamur zyrtar i Republikës së Kosovës, ndërsa himni i propozuar nga presidenti Rugova, ‘Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë’, të jetë himn i Republikës së Kosovës. Ky është borxhi që ia kemi prijësit tonë të madh, Presidentit historik Ibrahim Rugova, njeriut që së bashku me LDK-në e projektoi dhe e themeloi Republikën e pavarur, sovrane dhe demokratike të Kosovës", është shprehur Mustafa.

Para 23 vjetësh, Lidhja Demokratike e Kosovës ishte themeluar nga Ibrahim Rugova dhe një grup intelektualësh.

Atë kohë, LDK njihej si lëvizje e rezistencës paqësore të shqiptarëve të Kosovës ndaj regjimit të Serbisë në kohën kur Jugosllavia po shpërbëhej, kurse shumica shqiptare në Kosovë ishte një prej shënjestrave të shtypjes nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Koncepti i LDK-së, atë kohë, ishte për një Kosovë shtet të pavarur e demokratik që u promovua përmes liderit të saj Ibrahim Rugova.

Ndërkaq pas vitit 1999 kur në Kosovë kishin ndërhy forcat paqeruajtëse të NATO-s, LDK-ja, nën drejtimin e Rugovës kishte ruajtur shumicën dhe siguroi mandatin e parë qeverisës gjatë kohës së administrimit të Kosovës nga Kombet e Bashkuara.

Por, me vdekjen e Rugovës, kjo parti politike kryesisht doli e dyta, duke u kthyer në një forcë opozitare. (REL) /albeu.com/
Shtuar më 23/12/2012, ora 16:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori
 
Taulant dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian

Taulant dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian