Mustafa: Nuk qeveriset kështu
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Ismet Beqiri, deputetët e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Imri Ahmeti dhe Hashim Deshishku, morën pjesë në një takim pune me aktivistët e Nëndegës së tretë të LDK-së në Ferizaj, në të cilin u diskutua për përgatitjet që kjo nëndegë po i bën për ruandin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Ferizajt, raporton Gazeta Express.

Fillimisht, kryetari i Nëndegës, Zyfer Krasniqi raportoi për aktivitetin që kjo nëndegë ka bërë, me qëllim të nxitjes së elektoratit të kësaj nëndege për të dalë në zgjedhje dhe për ta votuar Adam Salihajn.

Ndërsa, Kryetari Mustafa tha: "Ky vend nuk duhet të qeveriset në këtë formë. Ne dëshirojmë të bëjmë ndryshime në qeverisje dhe për këtë arsye ne u kemi ofruar bashkëpunim edhe VV, AAK e AKR-së dhe nëse ata dëshirojnë të bëjnë ndryshime duhet të na përkrahin në Ferizaj. Ndryshimet në Ferizaj do të ndikojnë në ndryshime në tërë Kosovën".

Po ashtu, Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, theksoi se buxheti që e ndan Qeveria po shkon mbi baza politike duke i diskriminuar komunat të cilat nuk udhëhiqen nga PDK.

“Duke e përkrahur z. Salihaj për kryetar të Ferizajt, do të instalojmë një qeverisje të mirë dhe njerëzve të Ferizajt do t’u krijojmë kushte më të mira për jetë pavarësisht përcaktimeve të tyre partiake. Ata janë qytetarë tanë dhe s’do të bëjmë dallime”, tha z. Mustafa.

Ndërkaq, kandidati për kryetar të Ferzajt, Adem Salihaj, i cili është nga kjo nëndegë e LDK-së, duke folur para aktivistëve theksoi nevojën e organizimit sa më të mirë si për motivimin e votuesve për të dalë në votime, ashtu edhe per t’i bindur ata se mënyra e qeverisjes sonë është efikase, demokratike e bazuar ne ligjet ekzistuese, e bazuar në luftën kundër korrupsionit, hajnisë dhe krimit të organizuar.

Kandidati për kryetar të Ferizajt, Adem Salihaj, i falënderoi aktivistët e Nëndëgës së tretë të qytetit të Ferizajt për punën që po bëjnë në terren, me qëllim të sensibilizimit të votuesve të LDK-së për të dalë në votime. /albeu.com/
Shtuar më 21/05/2012, ora 11:23

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori