Mustafa në debatin me shoqërinë civile: Zgjedhjet në vitin 2018
Kryeministri Isa Mustafa po merr pjesë në një takim me përfaqësues të shoqërisë civile që për temë ka tejkalimin e krizës politike në vend. Në fjalimin e tij para të pranishmëve, ai tha se, Qeveria vlerëson rolin e shoqërisë civile, të mediave e të tjerëve për kontributin e tyre në daljen e vendit nga kriza.

"Sot jam para jush me rivalin më të madh të LDK-së, zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi, sepse dihet se gjithmonë kemi qenë rivalët më të mëdhenj. Jam i bindur se për të dy do të ishte më lehtë sikur njëra palë të ishte në pozitë e tjetra në opozitë, por realiteti është ndryshe. Dje kemi pasur një bisedë te presidentja Atifete Jahjaga. Falënderoj ambasadorin amerikan dhe përfaqësuesin e BE-së për angazhim në dialogun që është mënyra e vetme për të paraqitur argumentet tona dhe të gjejmë zgjidhjet tona", ka thënë Mustafa në fjalimin e tij, raporton Koha.

Kreu i ekzekutivit theksoi se, pozita deri më tani e ka pasur të pamundur t’i paraqet qëndrimet e Qeverisë për arsye të, siç tha ai, “pengesave që janë bërë në funksionimin e rregullt të Kuvendit të Kosovës”.

"Republika e Kosovës është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, kompromis i një shumice autoktone shqiptare. Republika e Kosovës është projekt i përbashkët i qytetarëve dhe aleatëve të tyre, se nga data 12 qershor e 1999 Serbia është vetëm fqinji ynë verior me të cilin kemi konteste të vazhdueshme, por i kemi mbyllur relacionet e varësisë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, se Kosova është orientuar drejt integrimeve euroatlantike", shtoi Mustafa.

Duke iu referuar protestave të partive opozitare, brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës, Mustafa përsëriti se dhuna nuk është alternativë.

"Pengimi i punës së institucioneve të Kosovës nuk është alternativë, dhuna nuk është alternativë. Dhuna rrezikon funksionalitetin e Kosovës, dëmton imazhin tonë, dhe inkurajon kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës", u shpreh kreu i ekzekutivit.

Ndërkaq, në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin, Mustafa tha se marrëveshja e parë, ajo për AKS-në, është marrëveshje që derivon nga marrëveshja e vitit 2013. Por, tha se Asociacioni do të krijohet në bazë të opinionit të Gjykatës Kushtetuese dhe Ligjeve të Kosovës.

Në fund, ai ripërsëriti se, zgjedhje të parakohshme apo të jashtëzakonshme nuk do të ketë, por tha se ato do të mbahen më 2017, zgjedhjet lokale, dhe më 2018 zgjedhjet parlamentare. /albeu.com/
Shtuar më 09/02/2016, ora 11:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori