Meta dekreton ligjin për ekstradimet mes Shqipërisë dhe Britanisë, sa të dënuar përfitojnë

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar ligjin për ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe si dhe Irlandës së Veriut për ekstradimin e personave të dënuar.

Sipas Metës, kjo marrëveshje e re thjeshtëzon procedurat për transferimin e personave të dënuar nga njëri shtet te tjetri dhe ndihmon në zbatimin efektiv të parashikimeve të marrëveshjes nga ana e organeve respektive. Nga kjo marrëveshje përfitojnë 1500 të dënuar.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, ka dekretuar sot shpalljen e Ligjit nr. 125/2021 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut mbi transferimin e personave të dënuar”.

Kjo marrëveshjeje e re thjeshtëzon procedurat për transferimin e personave të dënuar nga njëri shtet tek tjetri; ndihmon në zbatimin efektiv të parashikimeve të marrëveshjes nga ana e organeve respketive proceduese pjesëmarrëse në këto procedura; si dhe forcon bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e drejtësisë penale ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, në përmbushje si të qëllimeve të drejtësisë dhe rehabilitimin shoqëror të personave të dënuar.

Kjo marrëveshje synon të përmirësojë kushtet e rregullat për transferimin e personave të dënuar nga të dyja shtetet, në funksion të lehtësimit të riintegrimit social të shtetasve të njërit shtet kontraktues, që vuajnë dënimin në shtetin tjetër.

Sipas të dhënave statistikore të bëra publike në praktikën parlamentare, për 1 580 shtetas që po vuajnë dënimin, do të ketë një mundësi më shumë për transferimin e tyre në vendin e origjinës në funksion të lehtësimit të riintegrimit të tyre social”, shkruan Meta. /


Shtuar 24.12.2021 14:11