Mustafa: LDK të dalë nga qeveria me Partinë Demokratike
Isa Mustafa
Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, ka kërkuar daljen e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni aktual qeverisës me Partinë Demokratike si dhe mbajtjen sa më shpejt të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë. Mustafa tha se LDK-ja do të duhej të ishte në opozitë dhe të ndikonte më fuqishëm për ndërtimin e një shtetit ligjor.

Ai tha se do të angazhohet për ndërprerjen me çdo kusht të fuksionimit të koalicionit qeverisës, i cili sipas tij, është jofunksional dhe i pamundëson partisë së tij realizimin e programit dhe detyrave të veta.

“Unë e shoh se LDK-ja është në një pozitë krejtësisht inferiore brenda këtij koalicioni, se LDK-ja nuk pyetet ose pyetet shumë pak vetëm për ato çështje për të cilat vlerësohet se mund të mbetet një arsye se po bashkëpunon me partnerin e koalicionit. LDK-ja nuk pyetet fare se çfarë po ndodh me kompanitë publike në Kosovë, a duhet të privatizohen apo jo. LDK-ja nuk pyetet fare se në çfarë borxhi po hyn sot Kosova dhe si do të kthehet ky borxh si dhe kush do ta bartë përgjegjësinë nesër për gjeneratat që vijnë për detyrimet shtetërore ose ndërshtetërore që i merr Kosova. LDK-ja nuk pyetet për hapat strategjikë të zhvillimit të Kosovës. Prandaj, në këtë aspekt e shoh nevojën që LDK-ja duhet ta shqyrtojë pozitën e saj në qeverisje dhe të marrë përgjegjësitë për aq sa ajo pyetet dhe për aq sa asaj i takojnë, përkatësisht, që LDK-ja të mos jetë fare aty sepse ajo tani nuk ka fuqi, në këtë konstelacion të forcave, të realizojë programin e vet dhe detyrat e veta”, tha zoti Mustafa në intervistën e dhënë për BBC.

Isa Mustafa, ka fituar mandatin e dytë në zgjedhjet lokale në Prishtinë në nëntor të vitit të kaluar.Deklaratat e tij për koalicionin qeverisës aktual pasojnë fillimin e zgjedhjeve brenda LDK-së dhe emri i tij është lakuar si një prej kandidatëve të mundshëm për kryetar të partisë. Por, ai e ka lënë të kuptohet se kandidimi i tij varet shumë nga rrjedhat brenda partisë dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për postin e ngrirë të kryetarit të LDK-së nga presidenti Fatmir Sejdiu. Deri tani është shpallur vetëm një kandidaturë, ajo e ish-kryeministrit në mërgim, Bujar Bukoshi.

LDK-ja, që aktualisht është partia e dytë në Kosovë, për më shumë se 15 vjet u drejtua nga lideri historik i saj, Ibrahim Rugova. Pas vdekjes së tij, drejtimin e partisë e mori Fatmir Sejdiu. Ai fitoi në një garë të ngushtë me ish-kryetarin e Kuvendit, Nexhat Daci, rezultat që më pas çoi në ndarjen e kësaj force politike.
Shtuar më 20/09/2010, ora 22:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori