Mustafa: LDK-ja është shumë e fortë
Pëlqej
Isa Mustafa
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se partia që ai drejton ai është shumë e fortë dhe se me LDK-në nuk mund të bëjë dikush koalicion, por është LDK-ja ajo që bën koalicion me të tjerët.

Ai këto komente i bëri të dielën gjatë përurimit të rrugës “Bill Klinton” në Prishtinë, ku theksoi se pakënaqësitë brenda LDK-së janë individuale dhe që kanë të bëjnë me reformat brenda partiake.

Kohë më parë anëtari i Këshillit të përgjithshëm të LDK-së, Fatmir Rexhepi, pat dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në këtë parti, duke thënë se nuk do të jetë as pjesë e listës për deputet, në shenjë pakënaqësie me politikat që po zhvillohen në këtë parti.

Ai pat deklaruar se reformat e nisura nga Isa Mustafa janë false dhe atëherë kur do t'i jepet mundësia Isa Mustafa do të bëjë koalicion me PDK-në.

Por, Mustafa ka hedhur poshtë mundësinë e një koalicioni të tillë, duke përkujtuar se edhe më herët është shprehur kundër këtij koalicioni.

I pyetur rreth asaj se si ka mundësi të bëhen reforma me emra të njëjta, Mustafa tha se partia është duke mbajtur substancën e njëjtë, por me fytyra të reja.
Shtuar më 14/11/2010, ora 14:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori