Mustafa: I bindur se në vjeshtë do të lëvizim pa viza
Kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa ka deklaruar edhe një herë se gjithçka lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe do të bëhet në pajtim me vendimin e Kushtetueses, ndërsa për Demarkacionin me Malin e Zi tha se mund të ndryshohet në çdo moment kur ka dokumente që e dëshmojnë të kundërtën.

“Asociacioni nuk ka me pas kompetenca ekzekutive dhe nuk ka me qenë pushtet i tretë”, theksoi Mustafa. “Do të jetë kusht që aktivizimi i Asociacionit të mos bëhet pa shuarjen e strukturave paralele. Asociacioni mund të bëhet duke respektuar marrëveshjen e energjisë, kodit telefonik dhe shuarjen e strukturave paralele”, është shprehur Mustafa.

Ai është i bindur se marrëveshja aktuale për vijën kufitare me Malin e Zi është e drejtë.

“Jemi të bindur se janë ruajt kufijtë që krahina autonome e Kosovës dikur i ka pasë si kufij administrativ, do të thotë kufijtë e vitit 1974”, u shpreh Mustafa në emisionin ‘Debat’ në RTK.

Mustafa është shprehur i bindur se Kosova do t’i kalojë dy sfidat që ka përpara – Demarkacionin me Malin e Zi dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit – para se Brukseli të votojë për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Jam i sigurt që në vjeshtë ne mund të lëvizim pa viza”, ka thënë ai./Albeu.com/
Shtuar më 09/06/2016, ora 21:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori