"Murtaja e Bardhë" godet Serbinë, Kroacinë, Bosnjen...
Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë qartë se rritja negative e popullsisë, përkatësisht “murtaja e bardhë”, është një nga problemet më serioze demografike, por edhe sociale në shumicën e vendeve të rajonit të Ballkanit i cili në të ardhmen do të mund të ketë pasoja të shumëfishta për shoqërinë. Në disa vende të rajonit prej vitesh përsëritet trendi i rritjes së numrit të vdekjeve në krahasim me numrin e lindjeve gjatë një viti.

Sipas të dhënave të mbledhura nga gazetarët e Anadolu Agency (AA) Bosnja dhe Hercegovina është një ndër vendet e rajonit e cila përballet me rritjen negative të popullsisë, përkatësisht në këtë vend në vitet e fundit vazhdon të rritet numri i të vdekurve në krahasim me numrin e të lindurve. Këtë vit situata në këtë drejtim nuk është rregulluar aspak kështu që “murtaja e bardhë” vazhdon të lëkundë shoqërinë e BeH.

Sipas të dhënave të Agjencisë për statistikë, BeH gjatë vitit 2014 ka shënuar një bilanc negativ të popullsisë pasi që numri i të vdekurve në krahasim me numrin e të lindurve ishte më i madh për 3.803 persona. Në BeH në nëntë muajt e parë të vitit 2014, që janë të dhënat e fundit në dispozicion të institucioneve shtetërore, kanë vdekur 25.410 persona, në krahasim me 21.607 të lindur.

Situata në Serbi dramatike, gjithnjë e më pak të sapolindur

Në Serbi situata është e rëndë sepse ky vend përballet me një shkallë shqetësuese të rritjes negative natyrore për të në vitet e fundit nuk arriti të gjejë ndonjë zgjidhje. Vitin e kaluar në Serbi kanë lindur më së paku fëmijë që nga fillimi i shekullit të kaluar.

Sipas Byrosë Shtetërore të Statistikave (RSZ), në këtë vend gjatë vitit 2013, janë lindur 65.554 foshnje, që është numri më i ulët i lindjeve në një vit që nga fillimi i shekullit të 20-të, ndërsa, nga ana tjetër, kanë vdekur 100.300 njerëz, gjë që shënon një bilanc negativ të popullsisë. Kështu që numri i vdekjeve krahasuar me numrin e lindjeve të foshnjave të gjalla në vitin e kaluar në Serbi ka qenë më i lartë, me 34.746 njerëz.

Gjithashtu, të dhënat RSZ tregojnë se i gjithë territori i Serbisë është i rrezikuar, më së shumti pjesa jugore dhe lindore e vendit, ku mosha mesatare është 43,2 vjet dhe ku çdo fshat i tretë ka më pak se 100 banorë.

Kroacia po ashtu për shumë vite ka një rritje negative të popullsisë. Në atë vend, në 2013-n u regjistruan më shumë vdekje se lindje. Vitin e kaluar numri i vdekjeve ishte 50.386, krahasuar me 39.939 lindje, që tregon po ashtu një bilanc negativ të popullsisë. Kështu, në vitin e fundit, numri i vdekjeve në krahasim me numrin e lindjeve u rrit me 10 447 njerëz.

Kështu në Kroaci ka vazhduar prirja afatgjate e rritjes negative të popullsisë, sepse duke krahasuar me të dhënat statistikore në vitet e mëparshme tregon se rritja e fundit pozitive e popullsisë ishte regjistruar në vitin 1997. Vitin e kaluar numri i foshnjave të lindura ishte për 4,4 për qind, përkatësisht 1.832 persona, më i vogël në krahasim nga viti 2012, kur janë lindur 41.771 foshnje.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave i Shqipërisë, tregojnë se për tremujorin e tretë të vitit 2014 ka një rënie të shtesës natyrore (lindje - vdekje) në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2013 prej 5,4 %. Kjo rënie në shtesën natyrore ka ardhur si pasojë e rënies së numrit të lindjeve me 4 % në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Për sa i përket numrit të martesave vihet re një rënie e numrit të tyre me 2,3 %, nëse i krahasojmë me tremujorin e tretë të vitit 2013.

Mali i Zi një nga vendet e rralla të rajonit që shënon rritje pozitive të popullsisë

Mali i Zi është një nga vendet e rralla të rajonit që shënon rritje pozitive të popullsisë në vitet e fundit dhe që nuk ballafaqohet me problemin “murtaja e bardhë”. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë për Statistika të Malit të Zi (MONSTAT), në këtë vend vitin e kaluar janë lindur 7.475 foshnje, që është për 16 foshnje më shumë krahasuar me vitin 2012.

Në atë vend në vitin 2013 kanë vdekur 5.917 qytetarë, që është pesë më pak krahasuar me një vit më parë. Duke krahasuar bilancin e të lindurve dhe të vdekurve në 2013, shtimi natyror në Malin e Zi ishte pozitiv, pra 1.558.
Ngjashëm me Malin e Zi, në Maqedoni numri i lindjeve në krahasim me numrin e vdekjeve të vitit të kaluar ishte më i lartë, me 3 930 të tilla.

Kështu, shkalla e rritjes natyrore në Maqedoni vitin e kaluar ishte 1.9 për qind. Sipas Zyrës Qendrore të Statistikave të Republikës së Maqedonisë, gjatë vitit të kaluar lindën gjithsej 23.138 foshnje të gjalla. Krahasuar me vitin paraprak, numri i të posalindurve të vitit të kaluar ishte më i ulët, me një shifër prej 430 të tilla, apo 1.8 për qind në krahasim me një vit më parë.

Në të njëjtën kohë më 2013-n, numri i vdekjeve në Maqedoni arriti në 19.208, që do të thotë se është ulur me 4.6 për qind në krahasim me një vit më parë. Vdekjet më të mëdha regjistrohen te gjinia mashkullore, me 10.136 persona, ose 52.8 për qind të totalit.

Ekspertët konsiderojnë se nuk ka një zgjidhje universale për këtë problem shoqëror ndërkohë që studimet tregojnë se vendet më pak të zhvilluara kanë nivelin më të lartë të vdekshmërisë dhe shtimin e ulët natyror.

Ndër masat për të arritur shtim pozitiv të popullsisë janë përparimi ekonomik, grante për fertilizim artificial, investimet më të larta në sistemin e shëndetësisë, si dhe formimin e Institutit për Politika Demografike./albeu.com/


Shtuar më 30/12/2014, ora 14:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori