"Rrëmbeu një femër", kundërshtohet zgjedhja e rusit si raportues për Kosovën në KE
Në Prishtinë sot votohet raportuesi për Kosovën në Këshillin e Evropës.

Kandidati rus Alexei Kondratiev një nga tre emrat e përfolur për t’u përcaktuar si raportues për Kosovën në Këshillin e Evropës ka sjellë reagime të shumta në Prishtinë.

Sipas organizatave të Shoqërisë Civile në Kosovë raportuesi i Këshillit të Evropës duhet të jetë shembull. Raportuesi është dikush prej të cilit kërkohet të flasë për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe të prodhojë raporte të sakta për të informuar anëtarët e Këshillit të Evropës për situatën në Kosovë.

“Ai ka problem me drejtësinë në Kosovë pasi në kohën sa ka shërbyer në kuadër të kontigjentit të ushtrisë ruse në Kosovë ka tentuar të rrëmbejë një femër, ndërsa më pas iu shmang akuzës dhe u kthye në Rusi. Gjithashtu ishte Kolonel në agjencinë famëkeqe ruse të intelegjencës “GRU”.

Këto dhe arsye të tjera i kanë përmendur në një letër më shumë se 40 organizata të Shoqërisë Civile të Kosovës të cilën ia kanë dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku kanë kërkuar të parandalohet përzgjedhja e delegatit rus në këtë detyrë.

Menjëherë pas kësaj letre duket se ka vepruar Holanda. Sipas Leonora Kryeziut nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike ky vend ka tërhequr kandidatin e saj në mënyrë që votat e perëndimit të orientohen të kandidati gjerman Peter Bayer.

Një reagim ka ardhur edhe nga Ministria e Jashtme e Kosovës sipas së cilës emërimi i tij do të nënkuptonte rrezik potencial për Kosovën dhe nuk do të pranohet. Kjo ministri beson se asambleja parlamentare do ti kuptojë rrethanat dhe do të refuzojë zgjedhjen e tij në të kundërtën nuk do të bashkëpunojë me të.

Vet delegati rus për mediat serbe ka thënë se kundërshtimi i Prishtinës nuk është gjë e re dhe se sipas tij duhet të kuptohet mentaliteti shqiptar i Kosovës.
Shtuar më 14/11/2019, ora 14:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori