Policia dhe IKMT “zbarkojnë” në Velipojë, nis shembja e ndërtesave pa leje

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, forca të shumta policie dhe IKMT kanë shkuar në zonën e Velpojës dhe Karaburunit, për pastrimin e vijës bregdetare nga ndërtimet pa leje.

Policia e Shtetit bën me dije se “IKMT në bashkëpunim me Policinë e Shtetit që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm kanë nisur një aksion për goditjen e ndërtimeve pa leje, në vijën bregdetare në Velipojë, Shkodër dhe në Karaburun, në Vlorë”.

Sipas ministrise se Brendshme, në aksion janë angazhuar dhjetëra forca të IKMT dhe Policisë, të mbështetura nga mjete për shembjen e godinave në plazhe.

Krahas prishjes së ndërtimeve pa leje në këto zona, do të ketë procedim dhe ndëshkim me gjobë për subjektet në shkelje.

“Paralelisht, IKMT dhe Policia e Shtetit vijon punën për evidentimin dhe parandalimin e ndotjes mjedisore në lumenjtë e vijat ujore si dhe ndëshkimin e çdo kundërvajtësi, për prerjen e pyjeve apo dëmtime të tjera mjedisore, dhe njëkohësisht fton çdo qytetar e media të denoncojë shkeljet në numrin 112 ose përmes Komisariatit Dixhital”- njofton MB.


Shtuar 10.06.2020 06:22