MSH: Vendimi i Aganit në pajtueshmëri të plotë me ligjin
Në lidhje me lajmin e sotëm se ministri i Shëndetësisë Ferid Agani ka shkelur ligjet dhe rregullat duke emëruar Arianit Jakupin në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit të AKPM-së, ka reaguar Ministria e Shëndetësisë.

Sipas kësaj të fundit, gjithçka e bërë nga ministri Agani është në përputhje me Ligjin për Procedurën Administrative Nr. 02/L-28, neni 25 , paragrafi 25.1 dhe 25.2.

“25.1. Në rastet e mungesës ose paaftësisë për të ushtruar detyrat për shkak të pamundësisë së përkohshme fizike apo konfliktit të interesave, që prekin organet individuale të administratës publike ose çdo nëpunës tjetër publik, detyrat e këtij të fundit ushtrohen nga organi ose nëpunësi zëvendësues i parashikuar në ligj. 25.2. Në qoftë se ligji nuk shprehet për një zëvendësues, atëherë zëvendësimi bëhet nga nëpunësi më i lartë i organit të administratës publike, që në hierarkinë e organit vjen menjëherë pas organit individual ose nëpunësit të zëvendësuar”, qartëson MSH.

Ministria e Shëndetësisë shpreh bindjen se me rastin e këtij emërimi është bërë zgjedhja më e mirë e mundshme brenda dispozitave ligjore në fuqi, duke eliminuar vakumin në funksionimin e këtij institucioni të rëndësishëm dhe duke siguruar vazhdimësinë e punës të udhëhequr nga profesionist kompetent dhe me përvojë të duhur institucionale e profesionale në sektorin farmaceutik të Kosovës. /albeu.com/
Shtuar më 12/09/2013, ora 17:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori