Mohon që BE po bisedon me Serbinë
Edita Tahiri
Kryenegociatorja, Edita Tahiri ka mohuar çdo mundësi që Bashkimi Evropian po bisedon me Serbinë për pikat doganore Jarinje dhe Bërnjak. Por një zyrtar i BE-së, i afërt me këtë proces, ka thënë se palët po diskutojnë opsione të ndryshme në përpjekje për të gjetur zgjidhje që do t’i kënaqë të gjithë.
Ajo i ka quajtur propagandë pohimet zyrtarëve serbë për bisedime mes Beogradit dhe Brukselit për gjetjen e një zgjidhjeje për pikat kufitare në veri të Kosovës, shkruan Express.

“Këto janë të pavërteta të lansuara nga propaganda e Serbisë. BE-ja, edhe SHBA-ja edhe Qeveria e Republikës së Kosovës janë në një linjë që çështja e doganave dhe kufirit është e çështje e sovranitetit të Kosovës dhe ato gjithnjë do të qeverisen prej institucioneve të Republikës së Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, KFOR-in dhe EULEX-in”, ka deklaruar Tahiri për Express.

Zëvendëskryeministrja Tahiri ka thënë se BE-ja po flet me palën serbe për obligimet që ka Beogradi përballë Unionit.
“Angazhimet e BE-së dhe të z.Cooper janë që ajo të bashkëpunojë në kuadër të dialogut teknik. Fundja, Serbia është e kushtëzuar në rrugën e saj drejt BE-së”, ka shtuar ajo.

Por, një zyrtar i BE-së, i afërt me dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se kur është fjala për veriun ose dy pikat doganore atje, Brukseli është në kontakte me palët për të gjetur një zgjidhje.

Ky zyrtar i BE-së ka konfirmuar se tashmë ekzistojnë disa ide për veriun në tavolinën e Brukselit, por nuk ka specifikuar se për çka bëhet fjalë konkretisht.
Shtuar më 10/11/2011, ora 10:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori