Misteri me PTK-në
Qeveria e Kosovës thotë se këtë muaj pritet të shpallet tenderi për privatizimin e PTK-së. E, afati shtesë prej dy javësh, tashmë ka kaluar. Qeverisë së Kosovës nuk po i ngutet me PTK-në. Shtyrja e afatit për parakualifikim po vazhdon, ndonëse kanë kaluar dy javë, sa kishte dhënë kohë Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Megjithëkëtë, sipas qeveritarëve, gjatë këtij muaji pritet të shpallet tenderi për privatizimin e 75 për qind të aseteve të PTK-së, ndërsa pjesa më e madhe e aktiviteteve të projektit do të përfundojë brenda këtij viti.

Arsim Bruçaj, menaxher i Njësisë për Implementimin e Projektit, thotë se Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së tashmë i ka përgatitur të gjitha dokumentet e transaksionit, duke përfshirë dhe dokumentet e tenderit dhe dhomën e të dhënave.

“Për momentin, në garë për blerjen e aksioneve të PTK-së janë dy kompani. Por, Komisioni Qeveritar i Privatizimit, bazuar në kërkesat e dy kompanive pjesëmarrëse në proces, ka vendosur që, me qëllim të trajtimit të barabartë dhe fer të të gjithë pjesëmarrësve, sipas kritereve të parapara në kërkesat për parakualifikim, t’iu japë kohë shtesë për kualifikim të gjitha kompanive që kanë shprehur interesin e tyre për privatizimin e aksioneve të PTK-së”, ka thënë Bruçaj, për REL.

Sindikata e Postë-Telekomit të Kosovës nuk është pajtuar asnjëherë me privatizimin e kësaj kompanie. Kjo sepse PTK-ja ka dëshmuar se është kompani profitabile, pasi që nga viti 2007 e deri më tani, buxhetit të Kosovës i ka dhënë mbi 350 milionë euro.

Milazim Alshiqi, udhëheqës i kësaj sindikate, thotë se autoritetet kompetente nuk janë treguar transparente në procesin e përgatitjes së privatizimit të aksioneve të kësaj kompanie.

“Nuk ka asnjë njoftim zyrtar se kush ka konkurruar, kur ka qenë afati i fundit për ofertë, cilat janë kushtet, asgjë nuk është transparente”, thotë Alshiqi.

Ndonëse zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik thonë se ky proces tashmë është drejt finalizimit dhe se të gjithë punëtorët e PTK-së do të jenë të garantuar, sindikalistët kërkojnë nga kompanitë e interesuara të mos nxitojnë të konkurrojnë për blerjen e kësaj kompanie.

“U bëjmë apel kompanive të interesuara që të mos konkurrojnë, sepse nuk kanë siguri se do të përkrahen nga punëtorët e PTK-së në këtë proces. Jam shumë skeptik, këtu do të ketë pakënaqësi që do të reflektohen në formën e vet”, thotë Alshiqi.

Por, njohës të çështjeve ekonomike thonë se privatizimi i PTK-së është i nevojshëm për ekonominë e vendit. “Unë do të thosha se është nevojë imediate që të privatizohet PTK-ja, jo vetëm sa i përket buxhetit, por edhe sa i përket menaxhimit, modernizimit, uljes së shpenzimeve dhe shumë aspekteve që lidhen me PTK-në”, ka thënë Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës. Edhe Arsim Bruçaj, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, thotë se shitja e aksioneve të PTK-së është reformë strukturore drejt ekonomisë së tregut.

Sipas tij, investimet e huaja në sektorë strategjikë do të japin impakt edhe në sektorë të tjerë, ndërsa kapitali i ri do të përdoret në infrastrukturën e vendit./Express/
Shtuar më 04/10/2011, ora 13:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori