Misionet diplomatike të Kosovës shënuan pesë vjetorin e pavarësisë
Pesë vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës është shënuar në mënyrë dinjitoze në të gjitha misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, nëpër vendet e ndryshme të botës.



Në ceremonitë e organizuara me këtë rast, ambasadat dhe konsullatat e Kosovës kanë prezantuar arritjet progresin e gjithanshëm si dhe objektivat e mëtejshme të shtetit të Kosovës.

Përveç pritjeve solemne, ku kanë marrë pjesë personalitete nga vendet pritëse si dhe përfaqësues diplomatik të shteteve të tjera, në kuadër të këtyre aktiviteteve janë prezantuar edhe pika kulturore nga arti e muzika kosovare.

Në pritjen e organizuar në Londër, morën pjesë ambasadorë të shumtë si ai gjerman, zviceran, turk, finlandez, slloven, meksikan, kroat, malazez, bullgar etj. Në pritje ishin të pranishëm edhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Jashtme britanike, deputetë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Dhomës së Lordëve, ish-komandanti i parë i KFOR-it, Sir Mike Jackson, ish-ndërmjetësi i BE-së në dialogun teknik, Sir Robert Cooper e shumë diplomatë, njohës të çështjes së Kosovës, aktivistë dhe përfaqësues të komunitetit.

Ambasada e Kosovës në Bruksel ka organizuar një pritje solemne për nder të pesë vjetorit të pavarësisë, ku kanë marrë pjesë një numër tejet i madh përfaqësuesish të Mbretërisë së Belgjikës, institucioneve të BE-së, NATO-s etj. Në pritje ishte i pranishëm edhe zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit, Philip Reeker, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri si dhe drejtori Politik i MPJ-së, Sami Ukelli.

Në Berlin, në pritjen e organizuar nga Ambasada e Kosovës, morën pjesë një numër i madh ambasadorësh dhe diplomatësh të shteteve të ndryshme, deputetë të parlamentit gjerman, drejtorë të departamenteve përkatëse nga MPJ gjermane, gjeneralë të Bundeswehrit, ish-komandantë të KFOR-it në Kosovë dhe shumë personalitete të jetës publike në Gjermani. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli si dhe ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi.

Në pritjen e organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Nju Jork, kanë marrë pjesë mbi 300 mysafirë, diplomatë, përfaqësues të institucioneve amerikane, të diasporës kosovare si dhe personalitete nga jeta akademike, publike e fetare. Pritja është përshëndetur përmes një telegrami edhe nga prefekti i Nju Jorkut, Michael Bloomberg.

Në pritjen e organizuar në Tokio, morën pjesë personalitete të shquara të jetës institucionale dhe akademike të Japonisë dhe jo vetëm. Në këtë ceremoni morën pjesë po ashtu edhe përfaqësues nga komuniteti kosovar e shqiptar që jetojnë në Japoni.

Edhe Ambasada e Kosovës në Romë, ka organizuar një pritje solemne ku ishin të pranishëm një numër i madh i ambasadorëve dhe përfaqësuesve të misioneve diplomatike të akredituara në Itali, përfaqësues të MPJ-së dhe institucioneve tjera italiane, personalitete të njohura kosovare nga fusha e artit, sportit, si dhe përfaqësues të komunitetit kosovar në Itali.

Në Riad të Arabisë Saudite, Ambasada e Kosovës, ka organizuar një pritje ku morën pjesë mbi 200 persona, duke përfshirë zëvendësguvernatorin e Riadit, Princin Mohammed bin Saad bin Abdulaziz. Pas pritjes, u prezantua edhe një dokumentar, në të cilin u prezantuan faktet kryesore për vendin tonë dhe të arriturat e zhvillimet gjatë pesë vjetëve të pavarësisë.

Në manifestimin solemn të organizuar në ambientet e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, kanë marrë pjesë drejtuesit më të lartë të institucioneve të Republikës së Shqipërisë, ambasadorë të shumë shteteve të akredituar në Tiranë, përfaqësues të komuniteteve fetare, të shoqërisë civile dhe të mediave.

Pesë vjetori i pavarësisë, në mënyrë solemne u kremtua edhe në Budapest. Në këtë ngjarje morën pjesë shumë ambasadorë, përfshirë Nuncin Apostolik të Vatikanit dhe ambasadorë e diplomatë të vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Pritjen e nderuan me pjesëmarrje zyrtarë të lartë nga zyra e presidentit dhe e kryeministrit hungarez, parlamenti, sekretarë shteti në institucione shtetërore hungareze.

Në ceremoninë e organizuar në Sofje morën pjesë shumë mysafirë, përfaqësues të lartë institucional të Bullgarisë, ambasadorë, personalitete të njohura nga fusha e politikës, artit, kulturës, shkencës, biznesit, mediave etj.

Në manifestimin e mbajtur në Lubjanë, kanë marrë pjesë rreth 250 mysafirë, ndër ta 20 ambasadorë dhe personalitete të shquara të jetës publike sllovene.

Në pritjen e organizuar në Zagreb, ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Kroacisë, Ivo Josipoviq, ish-kryetari Stjepan Mesiq, ish-kryeministrja Jadranka Kosor, nënkryetari i Parlamentit, Nenad Staziq, ambasadorë, diplomatë, deputetë si dhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetëror e personalitete kroate.

Manifestime solemne, të shoqëruara edhe me programe artistike e kulturore me rastin e shënimit të pesë vjetorit të pavarësisë, nga data 14 shkurt deri më 26 shkurt janë zhvilluar dhe do të zhvillohen edhe në të gjitha shtetet tjera ku janë hapur Ambasadat dhe Konsullatat e Kosovës. Deri më tani, ceremoni solemne me këtë rast janë zhvilluar edhe në Francë, Australi, Austri, Çeki, Holandë, Maqedoni, Suedi, Egjipt, Turqi e Zvicër.

Shënimi i pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës nga misionet diplomatike e konsullore të Kosovës është mirëpritur dhe vlerësuar lartë edhe nga bashkatdhetarët tanë më qëndrim në këto shtete. /albeu.com/
Shtuar më 23/02/2013, ora 16:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori