Mirëpritet lirimi nga arresti dyvjeçar i pesë të rinjve nga Presheva
Subjektet politike dhe institucionale të Luginës së Preshevës kanë mirëpritur lirimin e pesë shqiptarëve nga Burgu i Beogradit, duke e quajtur këtë ngadhënjim i pafajësisë dhe triumf i drejtësisë. Ato kanë deklaruar se presin epilog pozitiv për lirimin edhe të të arrestuarve të tjerë, të cilët janë të pafajshëm.

Përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të Luginës, që nga arrestimi i nëntë shqiptarëve nga njësitet speciale të xhandarmërisë serbe, e konsideronin atë akt të motivuar politikisht.
Lideri i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Jonuz Musliu, njëherësh edhe kryetar i asamblesë komunale të Bujanocit, ka përshëndetur të premten lirimin e pesë të burgosurve shqiptarë nga Burgu Qendror i Beogradit. Lirimi i të akuzuarave nga Gjykata Speciale për Krime Lufte në Beograd, theksoi Musliu, dëshmoi pafajësinë e këtyre të rinjve, duke triumfuar drejtësia kundrejt akuzave të pabaza të prokurorisë serbe.
Procesin maratonik të seancave gjyqësore në Beograd, pastaj mënyrën se si qenë arrestuar këta të rinj shqiptarë, kryesisht ish-pjesëtarë të UÇPMB-së, dhe trajtimet në burgje, Musliu i quajti politikisht të motivuara, dhe shprehu bindjen se më 21 janar aktgjykimi i katër shqiptarëve tjerë do të përfundojë me fitoren e drejtësisë.
Edhe lideri i Unionit Demokratik Shqiptar, Rahmi Zulfiu ka përshëndetur lirimin nga burgu të pesë preshevarëve të akuzuar për krime lufte nga Prokuroria Speciale serbe.
“Lirimi i pesë shqiptarëve preshevarë, nga gjithsej nëntë, sa ishin të akuzuar nga Gjykata Speciale për Krime Lufte në Beograd, dëshmoi dhe vërtetoi se këta të rinj nga Presheva janë të pafajshëm, ndonëse janë mbajtur tash dy vjet në burgjet e Beogradit”, theksoi Zulfiu, duke uruar lirimin edhe të katër të arrestuarve tjerë më 21 janar të këtij viti.
Lideri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (LKSH), Orhan Rexhepi, i cili njëherësh ishte edhe personi i autorizuar nga familjarët për të ndjekur procesin gjyqësor dhe për të përfaqësuar grupin e akuzuar, theksoi se në seancën gjyqësore të radhës pret epilog pozitiv për lirimin e plotë të gjithë grupit.
“Mënyra se si u arrestuan këta të rinj shqiptarë, pastaj trajtimi i tyre në burg dhe zhvillimi i procesit gjyqësor ndaj tyre, të lënë të kuptosh se ky proces, ashtu si edhe proceset e mëparshme të zhvilluara, të kenë qenë procese të montuara politikisht, të pakuptimta, madje dhe të dyshimta”.
Sipas Rexhepit, për vendimin e lirimit të pesë të sipërpërmendurve, ka bërë të ditur se ata do të qëndrojnë në shtëpitë e tyre deri më 21 janar, kur do të merret vendimi i gjykatës për të nëntë të burgosurit.
Po ashtu, sipas Rexhepit, Prokuroria për Krime Lufte në Beograd, pesë të arrestuarit i ka liruar deri më 21 janar, ndërkohë që ata janë të obliguar që gjatë tërë kohës, që nga dita e lirimit të tyre, të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe çdo të hënë të paraqiten në Stacionin Policor të Preshevës.
Ndërkaq, Këshillit Nacional i shqiptarëve të Luginës, përmes një komunikate, ka përshëndetur familjet e të burgosurve për lirimin e bijve të tyre, duke shtuar se të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës ndihen krenar që më në fund triumfoi drejtësia, dhe se të gjitha akuzat e ngritura nga Prokuroria serbe mbesin vetëm në letër, pasi mungojnë faktet.
“Mbesim me bindjen dhe besimin e plotë se aktgjykimi, i cili pritet të shpallet më 21 janar 2011, të jetë aktgjykim lirues për të gjithë”, thuhet në komunikatën e KNSH-së. Nëntë të akuzuarit për këtë rast, i quajtur nga prokuroria serbe si “Grupi i Gjilanit”, janë arrestuar më 26 dhjetor të vitit 2008, në shtëpitë e tyre në Preshevë, nga njësitet speciale serbe, me akuzën për krime lufte të kryera ndaj serbëve, romëve dhe ndaj ndonjë shqiptari lojal (spiun), nga mesi i qershorit e deri në fund të tetorit të vitit 1999, në qytetin e Gjilanit dhe rrethinën e tij. (koha)
Shtuar më 01/01/2011, ora 15:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori